Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, pas takimit me Komandantin Suprem të NATO-së për Evropë, Gjeneralin Amerikan, Philip Breedlove, tha se në këtë takim është diskutuar për synimin e Kosovës që Forca e Sigurisë të shndërrohet në Ushtri, por që kjo do të ndodhë në koordinim me NATO-n. Ai tha se Kosova e meriton të ketë ushtrinë e saj sikurse të gjitha shtetet e tjera.
Në takimin e Ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi me Komandantin Suprem të NATO-s për Evropë, Gjeneralin amerikan Philip Breedlove, nuk është dhënë ndonjë afat kohor se kur mund të shndërrohet Forca e Sigurisë së Kosovës në Ushtri.
Ministri i Drejtësisë Kuçi, tha se në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe NATO-s, ku është përmendur qëllimi dhe synimi i Kosovës për Forcën e Sigurisë.
“Ne dëshirojmë të kemi kapacitete të plota si shtet sovran, është përmendur natyrisht dëshira jonë që ta kemi ushtrinë e Kosovës. Po ashtu është përmendur që këtë do ta bëjmë në koordinim me NATON. Nuk do t’i befasojmë me vendimet tona, sikur që do të tentojmë t’i bindim që Kosova e meriton ta ketë ushtrinë e vete sikur të gjitha shtetet e tjera.”
Por, se kur do të ndodh që Forca e Sigurisë së Kosovës mund të shndërrohet në Ushtri, Kuçi tha se ky do të jetë një vendim i përbashkët i Kosovës me NATO-n.
Në anën tjetër, Gjenerali Breedlove ka shprehur falënderimin e tij për bashkëpunimin korrekt që Kosova dhe Forca e Sigurisë së sajë kanë me KFOR-in dhe për kontributin e përbashkët për paqe dhe stabilitet.(RTK)