Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, Ambasadoren Konstantina Athanassiadou, e cila fillimisht e ka uruar Ministrin Kuçi për mandatin e dytë si Ministër i Drejtësisë.
Ministri Kuçi ka vlerësuar lartë thellimin e pandërprerë të bashkëpunimit mes dy shteteve. Ministri Kuçi, gjithashtu ka vlerësuar rolin e Greqisë që haptazi po përkrahë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, është diskutuar edhe mbështetja e Greqisë për sistemin e drejtësisë të Kosovës përmes EULEX-it. Ministri Kuçi ka theksuar që bashkëpunimi bilateral në fushën e drejtësisë duhet të forcohet edhe më shumë, sepse bashkëpunimi ndërkufitar lehtëson dukshëm luftimin e krimit të organizuar që nuk njeh kufij.
Ambasadorja Athanassiadou, në anën tjetër, ka theksuar se Greqia do vazhdojë të ketë qasje konstruktive ndaj Republikës së Kosovës. Edhe pse ende nuk e ka njohur Kosovën, Greqia është kontribuese e rregullt në të gjitha mekanizmat ndërkombëtar që veprojnë në Kosovë, duke përfshirë edhe EULEX-in dhe KFOR-in. Greqia ka njohur pasaportat e Republikës së Kosovës, duke përfshire edhe pasaportat diplomatike, si dhe vazhdon të jetë një shtet mik në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Ministri Kuçi, e ka falënderuar Ambasadoren Athanassiadou për përkrahjen që ka ofruar Greqia në anëtarësimin e Kosovës në mekanizma të ndryshëm rajonal dhe ndërkombëtar, duke theksuar që ka ardhur momenti edhe për njohje formale të Republikës së Kosovës nga Republika Helene.