(2LONLINE) – Dikur Bashkësia lokale e Muqibabës i ka pas 95 shtëpi me afër 700 banorët, sot në të jetojnë 21 familje me mbi 100 banorë. Vehid Ibrahimin, përfaqësues i fshatit Muqibabë të Gjilanit, pranon se banorët e këtij fshati po e jetojnë një jetë të vështirë, por se thotë se ndër shkaqet e boshatisjes së këtij fshati të brezit kufitar, nga bashkëfshatarët e tij, prej pas luftës e deri më sot, nuk janë as se këtu mungon siguria e as nga skamja, por ndoshta nga varfëria shpirtërore për ta dashtë, investua e zhvillua vendlindjen.
“Në këtë drejtim, kontribut të madh në zbrazjen e fshatit kanë dhënë edhe institucionet e vendit pasi ata asnjëherë nuk kanë pas një përkushtim të duhur për të investuar në këto anë me qëllim që të krijohen kushte sa më të mira për jetesë dhe me këtë edhe të pengohen braktisja e fshatit Muqibabë por edhe të fshatrave tjerë të brezit kufitar”, ka thënë për Portalin 2LONLINE, Vehid Ibrahimi.
E, tani kur numri i familjeve, përkatësisht banorëve është edhe më i vogël, Ibrahimi ka frikën se institucionet edhe më pak do të shprehin interes për ta kthyer vëmendjen këndej pari. Prandaj, ai ka bërë thirrje që të gjithë ata banorë që pas luftës kanë lënë trojet e tyre shkret në këtë fshat, të kthehen, të investojnë dhe ta ngjallin jetën në këtë fshat, e me këtë shpresohet se edhe institucionet do të detyrohen të investojnë në infrastrukturë, arsim, shëndetësi e segmente tjera.
“I bëjë ftesë të gjitha atyre familjeve, që pas lufte braktisën Muqibabën por edhe fshatrat përreth të brezit kufitar, që të kthehen në vendlindjen e tyre sepse një fshat me aq pak banorë nuk mund të pret as mbështetje të institucioneve për të investuar në segmente që do të përmirësonin dhe do të bënin më të lehtë jetën e njerëzve të kësaj ane”, ka thënë Ibrahimi.
Sipas tij, shumë familje pronat e tyre i kanë lënë shkretë, ka dikush që ka investuar dhe pas luftës i ka braktisur duke kërkuar jetë më të mirë në qytet, por se përveç ngufatjes në qytet nuk mund të pritet diçka më e mirë. Sipas tij, në fshat po të investohet dhe po të e ndjejnë dorën e pushtetit mund të ngjallet shumë shpejtë jeta dhe banorët do të orientohen në bujqësi e blegtori, fusha këto që mund të jenë prosperuese në të ardhmen.
“E rëndësishme është edhe fakti që jemi fshat i brezit kufitar dhe se ngjallja e jetës përmes kthimit të banorëve, investimit të institucioneve do të kishte domethënie të madhe edhe për vet shtetin e Kosovës”, ka thënë Ibrahimi. /2lonline/