/2L ONLINE/ – Komiteti për Shërbime Publike i ka rekomanduar drejtorisë së linjës që të ndërmarr hapa konkretë në vendosjen e kamerave të sigurisë, si nevojë për rritjen e qetësisë publike përmes monitorimit të gjendjes në pikat më të ndjeshme në qytet.
Nisma ka ardhur nga kryesuesi i kësaj trupe, Isa Agushi (LDK) dhe është përkrahur edhe nga anëtarët tjerë, përfaqësues të subjekteve politike në vendimmarrjen komunale, Burhan Selmani, Ilir Tahiri, Mysafere Ismajli, Ramadan Ajvazi, Krenare Latifi – Kqiku e Hamid Azemi.
“Gjilani si komunë dhe Kosova në përgjithësi, kanë nevojë për më shumë siguri”, ka thënë Agushi, duke nënvizuar faktin se raste të ndryshme kriminale, sidomos vjedhje, ndodhin çdo ditë.
Vendosja e kamerave në pikat kryesore të qytetit, vetvetiu ndikon te qytetarët që të ndihen më të sigurt, kurse keqbërësit do të mendohen mirë para se të kryejnë një veprim kundërligjor, nëse e dinë se ajo zonë është nën vëzhgim.
Pikat se ku duhet të vendosen kamerat, do t`i përcaktojnë ekspertët e sigurisë, ka thënë Agushi.
Disa qytete në Kosovë, tashmë i kanë instaluar kamerat dhe përvoja ka treguar se me ndihmën e tyre janë zbuluar më letë rastet kriminale që kanë ndodhur.
Siç u tha, ligji për siguri publike, parasheh vendosjen e kamerave të sigurisë në vende publike.
Përndryshe, KSHPBMSH i ka miratuar edhe raportin e punës për këtë vit si dhe planin e punës për vitin 2017. /2L ONLINE/