(2LONLINE) – Komiteti për Shëndetësi dhe Mirënie Sociale (KSHMS) është njoftuar të hënën, në takimin e radhës, për gjendjen e përgjithshme të situatës me ujë të pijes në komunën e Gjilanit dhe ka kërkuar që cilësia e ujit të kontrollohet në baza ditore.
Imet Rrahmani, kryesues i KSHMS ka thënë se duhet të kontrollohet gjendja e puseve në vendbanimet, të cilat janë ngritur në zonat e mëhershme të deponive, siç është ajo në Livoç të Epërm dhe te Vishnjet, për të konstatuar cilësinë e ujit që përdoron banorët e këtyre zonave, sikurse duhet të bëhet një zgjidhje edhe për familjet që jetojnë në afërsi të deponisë rajonale.
Përndryshe, Heset Mahmuti, zyrtar për ujë, ka thënë se kanë marrë mostra të ujit në 9 lokalitete dhe nga analizat ka rezultuar se uji është i përdorshëm në aspektin kimik dhe bakteriologjik. Në 8 raste nga 40 mostra të analizuara, është rekomanduar të bëhet pastrimi, përkatësisht dezinfektimi i puseve.
Duke e marrë parasysh gjendjen e përgjithshme, disa prej anëtarëve të KSHMS-së, shprehen dyshime sa i përket cilësisë së ujit të puseve. Besa Baftiu (VV) tha se me analizën e tri puseve në Zhegër, nuk mund të konstatohet cilësia e përgjithshme e ujit që përdoret në një lokalitet kaq të madh.
Fatbardha Selmani (PDK) ka thënë se mungojnë analizat e ujit për disa shkolla dhe lokalitete dhe ka kërkuar që të hartohet një plan për dezinfektim të puseve në zonat rurale.
Sami Ahmeti (LDK) tha se në disa fshatra, ujësjellësit nuk funksionojnë, sikurse ka mbetur i papërfunduar prej 7 muajve e më tepër edhe në Zhegoc, ku mungon një pompë e ujit. Këto projekte, sipas Ahmetit, ishin të dështuara.
Jashar Jashari (LDK) tha se është skeptik ndaj këtij vlerësimi, duke marrë parasysh vërshimet që kanë ndodhur ditëve të fundit. Jashari u shpreh i sigurt se uji në Pogragjë, që merret nga rezervuari te Kalaja është i papijshëm dhe kërkoi që të bëhet një hulumtim i cilësisë së ujit që përdorin banorët e këtij fshati të madh.
Agron Leka (PDK) tha se te analiza e cilësisë së ujit duhet të merret parasysh vlerësimi i vetive fizike, kimike dhe bakteriologjike.
Veton Uka (AAK) tha se me analiza sipërfaqësore nuk mund të konstatohet cilësia e ujit dhe as të dilet me vlerësimin se uji është i pijshëm, sepse mund të rrezikohet shëndeti i popullatës.
Heset Mahmuti, zyrtar për ujë, ka thënë se ata monitorojnë vetëm zonat rurale, përkatësisht shkollat dhe ambulancat dhe jo edhe rrjetin e qytetit dhe ujësjellësit nëpër fshatra. Sipas tij, 60 për qind e popullatës përdorin ujë të pa kontrolluar. Më të rrezikuar janë banorët e lagjes Muhaxhir, afër deponisë rajonale, ku përdorimi i ujit është ndaluar edhe për kafshë.
Sa i përket gjendjes së ujësjellësve në fshatra, Imet Rrahami ka thënë se komuna do ta zgjidhë këtë problem në bashkëpunim me “Hidromoravën”, duke ia dhënë në menaxhim këto resurse kompanisë.
Përndryshe, KMSH, me kërkesën e Sami Ahmetit, ka diskutuar edhe për nevojën e shenjëzimit të hapësirave për personave me aftësi të kufizuar, për t`iu krijuar atyre qasje më të lehtë në institucionet publike dhe në këtë drejtim ka kërkuar që zgjidhja të bëhet ashtu siç e parasheh ligji. /2lonline/