Pas një maratone të gjatë bisedimesh, anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratuan rezolutën për Sirinë, e cila kërkon shkatërrimin e arsenalit të armëve kimike të Damaskut.
Të 15 anëtarët ishin mbledhur për të diskutuar tekstin e paraqitur nga SHBA dhe Rusia dhe e votuan atë unanimisht.
Duke folur pas votimit, sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon e cilësoi si “historik” votimin dhe i bëri thirrje Damaskut zyrtar që ta implementojë atë pa vonesa. Gjithashtu, ai foli për mundësinë e mbajtjes nga mesi i nëntorit të një konference tjetër paqeje në Gjenevë.
Ndërsa, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se OKB-ja tregoi se diplomacia është aq e fuqishme saqë në mënyrë paqësore mund të çaktivizojë armët më të fuqishme. Edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e përshëndeti votimin, duke thënë se Moska është gati të marrë pjesë në të gjitha operacionet që do të zhvillohen në Siri. Por nga ana tjetër ai theksoi se rezoluta nuk bie vetëm mbi shpatullat e Damaskut, duke kërkuar që opozita siriane të bashkëpunojë. (TCH)