(2L ONLINE) – Atleti i Klubit Atletik “Rogana”, Suad Kryeziu, në konkurrencën e meshkujve dhe garuesja Luljeta Shala, nga Klubi Atletik “Llapi”, në konkurrencën e femrave, kanë triumfuar në garën ndërkombëtare të atletikës “Gjilani 2015”.
Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, mbështetur nga Federata e Atletikës së Kosovës dhe Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan sot është mbajtur gara ndërkombëtare e atletikës në vrapim për meshkuj dhe femra “Gjilani 2015”.
Gara është organizuar në këto kategori: për senior/e – 11300 metra, junior/e – 4300 metra, pionier/e – 2000 metra, veteranë/e – 4300 metra, me pjesëmarrës nga Komuna të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria dhe Mali i Zi.
Me këtë rast para fillimit të garës të pranishmit në emër të kryetarit të Komunës i ka përshëndetur nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu, i cili ka thënë se “kjo garë tashmë tradicionale është e rëndësishme për vet faktin e saj që ka karakter sportiv dhe garues, por edhe për shkak të kujtimit të pranverës studentore të vitit 1981, kur rinia ishte ajo që mori iniciativën që më vonë u bë simbol i lirisë së vendit. Sporti dhe kjo garë në mbretëreshën e sporteve në atletikë përkujton më së miri pranverën studentore me pjesëmarrje ndërkombëtare”, tha Kadriu duke shpallur të hapur garën dhe duke uruar suksese për garuesit dhe shëndet e fat në krosin pranveror “Gjilani 2015”.
Garën për vendin e parë në pioniere e ka zënë Albina Deliu, ndërsa në konkurrencën e meshkujve vendin e parë në këtë kategori e ka zënë Muhamet Smajli.
Në kategorinë e veteraneve ishte vetëm një garuese Remzije Shala, ndërsa vendin e parë në kategorinë e veteranëve e zuri Zymer Alaj, nga Klubi Atletik “Juniku” – Junik.
Në kategorinë e personave me nevoja të veçanta vendin e parë e ka zënë Avdyl Ibishi nga Gjilani.
Në konkurrencën e juniorëve vajza që ka zënë vendin e parë ishte Donika Veseli nga klubi atletik “Llapi”, ndërsa në konkurrencën e meshkujve vendin e parë e ka zënë Valentin Sadiku që vinte nga Klubi Atletik “Trepça”.
Në konkurrencën e seniorëve, vajza që zuri vendin e parë ishte Luljeta Shala, vinte nga Klubi Atletik “Llapi” – Podujevë, ndërsa në konkurrencën e meshkujve në këtë kategori që vendin e parë e ka zënë Suad Kryeziu që vinte nga Klubi Atletik “Rogana” – Roganë.
Ndryshe pjesëmarrës në vrapimin “Gjilani 2015”, morrin pjesë mbi 100 garues nga vendi dhe rajoni./2L ONLINE/