DYLON

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu vizitoi Universitetin Publik “Kadri Zeka”

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu vizitoi Universitetin Publik “Kadri Zeka”
Redaksia

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan mirëpriti sot Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, e cila gjatë vizitës zhvilloi një takim me Rektoren e UKZ-së, znj. Fitore Malaj, dhe drejtuesit e universitetit.

Gjatë takimit u diskutua për arsimin e lartë në Kosovë, sfidat me të cilat përballen institucionet universitare, si dhe mundësitë për avancimin e studimit, hulumtimit dhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.

EkoHigjiena

Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, znj. Fitore Malaj, e falënderoi Kryetaren Haxhiu për vizitën dhe për bashkëbisedimin me studentët, duke theksuar rëndësinë e lidhjes së universiteteve me institucionet publike dhe shoqërinë.

“Universiteti Publik ‘Kadri Zeka’ është i përkushtuar që studentëve t’u ofrojë jo vetëm dije akademike, por edhe hapësirë për debat, mendim kritik dhe angazhim qytetar. Vizita dhe bashkëbisedimi me znj. Haxhiu janë një mundësi e mirë për studentët tanë që të njihen më nga afër me institucionet demokratike dhe proceset që lidhen me të ardhmen e vendit tonë,” u shpreh Rektorja Fitore Malaj.

Më pas, u mbajt bashkëbisedimi me temën “Diplomacia parlamentare, sundimi i ligjit dhe perspektiva evropiane e Republikës së Kosovës”, ku morën pjesë studentë, staf akademik dhe të interesuar të tjerë.

Gjatë ligjëratës dhe bashkëbisedimit, znj. Albulena Haxhiu diskutoi me studentët për demokracinë parlamentare, historinë e përfaqësimit politik në Kosovë, rolin e Kuvendit, sundimin e ligjit dhe perspektivën evropiane e euroatlantike të Republikës së Kosovës.

Duke iu drejtuar studentëve, Kryetarja Haxhiu theksoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve në proceset demokratike dhe të ndërtimit të një shoqërie ku përgjegjësia qytetare shoqëron të drejtën për përfaqësim.

“Të rinjtë e Kosovës janë plot talent dhe ambicie. Ata meritojnë universitete që ua nxisin kureshtjen, ua zhvillojnë aftësitë dhe u japin mundësinë t’i realizojnë synimet e tyre,” u shpreh znj. Haxhiu.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, z. Selim Daku, vlerësoi se bashkëbisedimet e këtij niveli janë të rëndësishme për studentët, pasi krijojnë mundësi që njohuritë e fituara në auditor të lidhen me përvojat dhe zhvillimet konkrete institucionale.

“Fakulteti i Shkencave Sociale synon të krijojë vazhdimisht hapësira për debat akademik dhe bashkëbisedim me përfaqësues të institucioneve publike. Prania e Kryetares së Kuvendit dhe diskutimi i drejtpërdrejtë me studentët janë një mundësi e vlefshme për të nxitur mendimin kritik dhe interesimin e tyre për proceset demokratike e institucionale,” deklaroi Dekani Selim Daku.

Gjatë bashkëbisedimit në Universitetin Publik “Kadri Zeka” pati diskutime dhe pyetje të studentëve, duke krijuar një hapësirë të drejtpërdrejtë për shkëmbim mendimesh mbi demokracinë, institucionet, sundimin e ligjit dhe të ardhmen evropiane të Kosovës.Në kuadër të vizitës, Kryetarja e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, vizitoi edhe laboratorin e Shkencave Sociale, ku u njoh nga afër me hapësirat dhe mundësitë që studentët kanë për punë praktike dhe kërkimore. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.