Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Kadri Veseli priti sot në takim Jean Todt, kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit dhe i dërguar special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për siguri në trafik.
Në takim, kryetari Veseli e falënderoi z. Todt për mbështetjen e tij personale për anëtarësimin e Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit, si një e arritur tjetër në vazhdën e përfshirjes së Republikës së Kosovës në mekanizmat dhe institucionet ndërkombëtare.
Temë qendrore e takimit ishte çështja e sigurisë në rrugë, si synim global dhe me këtë rast z. Todt theksoi rëndësinë e sigurisë, posaçërisht në shndërrimin e Kosovës në model rajonal në këtë fushë të rëndësishme.
Kryetari Veseli e siguroi z. Todt për mbështetjen e parezervë dhe angazhimin e tij personal që çështja e sigurisë në rrugë të marrë vëmendjen e duhur institucionale dhe shoqërore, në mënyrë që siguria e qytetarëve të jetë sa më e plotë.