DYLON

Kryetari Veseli takoi drejtuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë

Avatar photo Redaksia

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një takim me drejtuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës (SHBPK), përkatësisht Këshillin nismëtar për shënimin e 80-vjetorit të lindjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Kryetari Veseli dhe drejtuesit e Shoqatës diskutuan lidhur me programin për shënimin e 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit dhe njëkohësisht organizimit të aktiviteteve të tjera që do të zhvillohen gjatë tërë vitit 2016, i cili do të cilësohet si “Viti i Adem Demaçit”.

EkoHigjiena

Të gjitha këto aktivitete, do të organizohen me mbështetjen e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Gjatë takimit, kreu i Kuvendit tha se ndihet jashtëzakonisht i nderuar që institucioni që ai drejton, por edhe institucionet tjera të vendit, kanë mundësinë të bëjnë, siç vlerësoi ai, një gjë shumë të vogël për njeriun e madh, simbolin e kombit, njeriun e rezistencës, të vullnetit e të shpirtit të kombit tonë për liri dhe demokraci, Adem Demaçi.

Veseli garantoi se institucionet e Kosovës do të bëjmë të gjithë atë që është në përgjegjësinë e tyre, për të nderuar figurën e Adem Demaçit.

“Nëse ka njeri të gjallë mbi këtë tokë të cilit shqiptarët e Kosovës i kanë borxh për lirinë e tyre, ai është vetëm një: Adem Demaçi. Do t’i japim mbështetje çdo iniciative e cila është në shërbim të këtij emri. Sheshet në tërë Republikën e Kosovës do të marrin emrin e tij. Institucionet e Republikës së Kosovës do të kenë çmim kombëtar me emrin e Adem Demaçit, siç ekziston ai me emrin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, theksoi kryeparlamentari Veseli, ndërsa shtoi se në kuadër të shënimit këtij përvjetori, do të botohen edhe libra dhe do të përgatitet një dokumentar për figurën e Demaçit.

Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Hydajet Hyseni, nga ana e tij, falënderoi kryetarin Veseli për pritjen dhe përkrahjen e parezervë në kremtimin e ditëlindjes së Adem Demaçit. Hyseni tha se Këshilli nismëtar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, mbështetur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Instituti Albanalogjik i Kosovës dhe ai i Historisë, si dhe segmente të tjera të shoqërisë, do të përpiqet ta rrumbullakësojë këtë shënim të këtij përvjetori, të cilësuar si viti i Adem Demaçi. Ky këshill, shtoi Hyseni, është në fazën e parë të funksionalizimit të tij, ndërsa në të ardhmen do të zgjerohet e kompletohet më tej.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.