Kryetari Sinani dhe nënkryetari Matoshi qëndruan në Gjermani

/2L ONLINE/ – Nën organizimin e Unionit të Bizneseve të Diasporës në Gjermani, në Këln u mbajt konferenca me anëtarë të këtij unioni dhe Unionit të Bizneseve shqiptare në Diasporë nga vendet e ndryshme të botës. Me ftesë të Unionit në këtë konferencën morën pjesë edhe kryetari i Kamenicës Begzad Sinani dhe nënkryetari Fatmir Matoshi.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ministri i Diasporës, Valon Murati, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, zv. ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë edhe Sipërmarrjes e Republikës së Shqipërisë, Brulinda Paskali, kryetari i Këlnit, Ralf Heinen dhe personalitete të tjera nga bota e biznesit nga Kosova dhe diaspora.

Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Gjermani Kryetari Sinani dhe nënkryetari Matoshi patën dhjetëra takime me pronar biznesesh të ndryshme të kosovarëve dhe gjermanëve në këtë vend. Kryetari Sinani I ka ftuar këta biznesmenë që të shohin Kamenicën si një mundësi të mirë për investime. “Kemi një rini të shëndoshë e të aftë për punë, ndërsa si institucione komunale jemi të përkushtuara të ofrojmë të gjitha mundësitë që kemi që të vini dhe të investoni në Kamenicë me qëllim të uljes së nivelit të papunësisë dhe zhvillimit ekonomik të komunës” u ka thënë kryetari Sinani ndërmarrësve kosovaro – gjerman.

Takim të veqantë kryetari Sinani dhe nënkryetari Matoshi patën edhe me kryetarin e Unionit të bizneseve Ejup Berisha dhe anëtarin e kryesisë së Unionit Besim Rexhepaj..

Kryetari i Unionit, Ejup Berisha, ka thënë se qëllimi kryesor i këtij unioni do të jetë bashkëpunimi i bizneseve kosovare në Gjermani.

“Qëllimi ynë është që të punësojmë njerëz nga Kosova,10 mijë njerëz t’i sjellim nga Kosova, pra secila firmë kosovare këtu të punësojë punëtorë sezonalë nga Kosova”, ka thënë Berisha.

Në kuadër të punimeve të kongresit, kryetari Sinani takoi edhe kryetarin e qytetit të Këlnit, Ralf Heinen, i cili ka thënë se pret nga ky union që të rritet edhe më shumë bashkëpunimi në mes të bizneseve kosovare me ato gjermane.

Ralf Heinen tha se ky union është duke u munduar të përmirësojë imazhin e Kosovës.

Kryetari Sinani dhe nënkryetari Matoshi u takuan edhe me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Gjermani Skender Xhakaliun dhe konsulin e Kosovës në Frankfurt Astrit Zemaj. /2L ONLINE/


KOMENTE