Kryetari Rahimaj: Policia ka realizuar me sukses aksionin në Kamenicë, falënderim për institucionet e sigurisë
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka falënderuar institucionet e rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës për realizimin me sukses të një aksioni të rëndësishëm në territorin e komunës.
Sipas tij, pas një pune intensive dhe koordinimi ndërinstitucional, është përmbyllur me sukses një operacion i ndërmarrë ndaj individëve të caktuar, të cilët për një periudhë të gjatë kanë vështirësuar funksionimin e institucioneve lokale dhe kanë shkaktuar shqetësime në komunitet.
Kryetari Rahimaj ka bërë të ditur se në kuadër të këtij aksioni, i cili konsiderohet ndër më të rëndësishmit e viteve të fundit në Kamenicë, janë bastisur disa objekte dhe më pas janë arrestuar dy drejtorë të shkollave të sistemit paralel serb, me inicialet N.V. dhe D.K., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale.
“Faleminderit institucioneve të rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Ky aksion dëshmon përkushtimin e institucioneve tona në mbrojtjen e rendit, ligjit dhe interesit publik”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Ai ka theksuar se Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar që t’i trajtojë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, pa dallim, si dhe të kontribuojë vazhdimisht në sigurinë dhe mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me institucionet kompetente.
Komuna e Kamenicës ka ritheksuar gatishmërinë e saj për të mbështetur çdo veprim institucional që synon forcimin e sundimit të ligjit, sigurisë publike dhe funksionimit të rregullt të institucioneve në shërbim të qytetarëve. /2LONLINE/
