Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj ka njoftuar se për tre ditë radhazi, ekspertët Dr. Edona Maloku, Prof. Joanne Hughes, Prof. Tony Gallagher, Prof. Ruth Leitch, Dr. Gavin Duffy, z. Paul Close dhe z. Seamus Bradley, kanë ndarë me kolektivet e shkollave të Komunës së Kamenicës, duke përfshirë edhe drejtorët dhe mësimdhënësit e shkollave serbe, praktikat më të mira për hartimin e modelit të Arsimit të Përbashkët, model ky që vjen nga Irlanda Veriore.
“Arsimi i përbashkët (Shared Education) si koncept ka për qëllim afrimin dhe krijimin e relatave të ndërsjella dhe ndërveprimit mes fëmijëve të grupeve të ndryshme nëpërmjet kontaktit dhe ndërveprimit konsistent që është i përcaktuar me këtë model”-ka thënë Kryetari Rahimaj.
Ai ka shtuar gjithashtu se profesorët e Queen’s University janë takuar edhe nga Kryeministri Albin Kurti në një drekë pune i cili ka përshëndetur kontributin e tyre si dhe vullnetin e treguar për të ndarë njohuritë dhe përvojat e tyre në raport me fushën e arsimit. I pranishëm në këtë drekë të përbashkët pune ka qenë edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Jonathan Hargreaves. /2LONLINE/