Kryetari që i duhet Kamenicës
Nga Amir Jakupi
/2L ONLINE/ – Më tepër se një profil politikani dhe karriere, Kamenicës i duhet një administrator dhe kryetar praktik. Për më tepër, një kryetar nga qyteti, që bie, zgjohet dhe jeton me problemet e hallet e qytetit dhe njerëzve. Ndryshe, shumë më ndryshe nga këta të deritashmit.
Që t’gjithë jemi dëshmitarë, se kjo komunë tërë këto vite të pasluftës nuk është udhëhequr si duhet. Qyteti, i cili do të duhej të ishte prioritet i prioriteteve, është nëpërkëmbur e neglizhuar. Edhe pse partitë politike kanë pasur kapacitete për t’iu ofruar qytetarëve një ofertë të mirë, ato kanë shtypur idetë e reja, njerëzit e rinj dhe të vullnetshëm.
Subjektet politike, ‘pronarët’ e tyre konkretisht, e kanë ngulfatur demokracinë dhe ia kanë zënë frymën ideve, propozimeve dhe debatit, duke mos u lënë asnjë mundësi depërtimi kualiteteve të reja. Edhe ata pak të rinj të mbetur nëpër parti, po e mendojnë largimin duke mos e parë asnjë mundësi të ‘gjetjes së vetes’ dhe avancimit.
Qytetarët nuk janë fajtorë për përbërjen e ekzekutivit e legjislativit dhe administratës së paaftë e skajshmërisht të politizuar, por për shkak të një oferte të imponuar nga ‘hijenat’ e politikës dhe figurat e gërryera nga koha, që mjerisht vendosin edhe më tej për fatin tonë kolektiv.
Para se të bëhet shumë vonë, për vitin 2017, duhet të mendohet seriozisht për një rymë të re, figurë me integritet në të gjitha aspektet, mundësisht nga qyteti. Triumfi mund të duket pak i vështirë në shikim të parë, për shkak të përqindjes së lartë elektorale nëpër fshatra, por me një mbështetje të të rinjve, të papërcaktuarve dhe bojkotuesve të të gjitha zgjedhjeve të pasluftës, do të jetë i mundur.
Komunës së Kamenicës i duhet një kryetar: që ka dashuri për qytetin dhe njerëzit, një kryetar sa më pranë realitetit dhe larg premtimeve boshe, një kryetar që punon në dy-tri turne, një kryetar më pak politik dhe që merret ekskluzivisht me administrimin e Komunës. Nuk duhet të lejohen më eksperimente, para se të na mbytet përfundimisht shpresa./2L ONLINE/
