Gjilan – (2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka pritur në një takim punë afaristë zviceran të cilët në shtetin prej nga vijnë kanë fabrikën e ambalazhimit dhe rrjetin e eksportit nëpër disa shtete. Kryetari Mustafa, ka ofruar bashkëpunimin maksimal dhe kushtet më të mira nëse ata ndajnë mendjen për të nisur me punë në Gjilan.
Afaristët nga Zvicra ishin të interesuar për kushtet që ofron Gjilani, vlerën e tatimeve, nevojat më të mëdha për prodhim, resurset njerëzore, numrin e popullsisë së përgjithshme të Komunës, eksporti, importi etj
Me këtë rast kryetari Mustafa ka thënë se Gjilanit ka nevojë më shumë se gjithçka tjetër për sjelljen e investimeve të huaj, sepse nevojat e qytetarëve janë ato të punësimit të qëndrueshëm. Ai ka thënë se resurset njerëzore Gjilani i ka, duke përfshirë një përqindje shumë të madhe të popullsisë të moshës së re dhe të kualifikuar në lëmi të ndryshme, të cilët mund të jenë shumë të vyeshëm me një rikualifikim shtesë. Edhe sa i përket nevojave më të mëdha për prodhim, kryetari i ka informuar ata se çdo fabrikë prodhuese është e nevojshme të jetë në Gjilan. Ai ka thënë se importi është shumë i madh, pothuajse i të gjitha produkteve, si ushqimore, përpunuese, ambalazhim, materialit ndërtues, hidro – materialit, elektro – materialit, me një fjalë Gjilani është një hapësirë shumë e madhe për investime në prodhim. Ai ka thënë se çdo fabrikë e prodhimit të madh funksionon, siç janë të gjitha këto që u përmendën dhe shumë produkte të tjera. Gjilani është një hapësirë e lirë për prodhim.
Ne si komunë, nëse projekti është i mirë u ofrojmë tokën, infrastrukturën, rrugore, ujësjellësin, kanalizimin, rrjetin elektrik etj., taksa komunale nuk ka pos atyre që janë shtetërore. Ndërsa edhe sa i përket të bërit biznes në Gjilan, ne jemi shpallur tri herë radhazi si komuna më e mirë në mesin e Komunave të mëdha për ambientin e mirë për biznes. Gjithashtu ne jemi në dispozicionin tuaj 24 orë dhe nga ana e Komunës nuk do ta keni asnjë pengesë. Krejt ajo çka kërkojmë ne është punësimi i qytetarëve, sepse kjo është kërkesa më e madhe sot.
Edhe Drejtori i Zhvillimit Ekonomik Riad Rashiti, i ka informuar ata me zonën ekonomike që është duke ecur realizimi i saj dhe përgatitja për ta investuar në vitet në vijim. Poashtu e ka informuar edhe me numrin e bizneseve ekzistuese që kryesisht janë dominuese bizneset e vogla, dhe shumë pak biznese prodhuese në krahasim me numrin e përgjithshëm të tyre. Ai poashtu ka informuar edhe sa i përket produkteve më të kërkuara. Ndryshe Rashiti ka thënë se investimet në prodhim kanë tregun e sigurt, sepse sipas tij shumica e produkteve importohen prej shteteve të rajonit.
Ndërsa afaristët zviceran, janë ndër të kënaqur me kushtet të cilat i ofron Komuna e Gjilanit, për investimet e huaja. Duke precizuar se kanë vizita zyrtare për këtë qëllim edhe në Republikën e Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe gjatë muajve në vijim do të shikojmë mundësin e investimit në Gjilan apo jo.
Ndryshe ata kanë vizituar gjatë ditës disa fabrika, si atë të prodhimit të ujit DEA, të pijeve dhe lëngjeve, RC Cola, të tekstilit etj. /2lonline/