DYLON

Kryetari Kastrati dhe u.d ministri Matoshi takohen me Task forcën “Ta pastrojmë Kamenicën”

Kryetari Kastrati dhe u.d ministri Matoshi takohen me Task forcën “Ta pastrojmë Kamenicën”
Avatar photo Redaksia

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka themeluar Task forcën për përgatitjen e aksionit “Ta pastrojmë Kamenicën” , i cili do të fillojë me datën 15 shtator deri më datën 15 dhjetor të këtij viti.

Ky aktivitet është organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në gjithë Kosovën dhe pesë komunat e përzgjedhura për pastrimin më të mirë do të fitojnë grant nga MMPH-ja.

Kryetari Kastrati në takimin me Task forcën tha se Komuna e Kamenicës është njëra nga komunat më të pastra dhe më të gjelbëruara në nivel të Kosovës dhe duhet të angazhohemi maksimalisht për pastrimin e Komunës gjatë kësaj periudhe.

EkoHigjiena

U.d ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi u sqaroi Task forcës të krijuar nga kryetari Kastrati për ecurinë e këtij aksioni, i cili do të mbahet në gjithë Kosovën.

Ndërkaq, koordinatori i kësaj Task force Faton Jakupi tha se kanë bërë identifikimin e 17 zonave ku do të zhvillohet aktiviteti dhe se janë marrur masat paraprake që gjithçka të shkoj mirë.

Anëtarët e kësaj Task force paraqitën idetë e tyre se si mund të realizohet sa më mirë ky aksion dhe treguan gadishmërinë për këtë inciativë.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet do të jenë edhe FSK-ja, Policia e Kosovës, Inspektorati Komunal dhe KFOR-i, të cilët këto aktivitete do t’i zhvillojnë në koordinim me Task Forcën e Qeverisë së Kosovës. Për këtë aksion Komuna e Kamenicës do ta ketë përkrahjen e MMPH-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Koordinatori Jakupi ka bërë apel që këtij aksioni t’i bashkangjiten të gjitha partitë politike, qytetarë të Kamenicës, bizneset dhe të rinjtë vullnetarë.