Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e Caritas-it Zviceran në Kosovë, menaxherin Veton Rruka, si dhe koordinatorin Nderim Pasuli, me të cilët ka diskutuar rreth projekteve të ndryshme në sferën e arsimit dhe të bujqësisë, respektivisht bimëve mjekuese aromatike, përpunimit të perimeve dhe pemëtarisë manore.
Kryetari Haliti, ka vlerësuar lartë bashkëpunimin që kanë pasur vitin e shkuar me Caritas-in Zviceran në Kosovë, duke shtuar se projektet e tilla janë shumë të nevojshëm për qytetarët vitias.
“Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me Caritas-in vitin e kaluar. Përmes projekteve të shumta të investuara në komunën e Vitisë, kanë përfituar shumë qytetarë të komunës sonë, të cilët kanë siguruar të ardhura për familjet e tyre. Komuna e Vitisë, do të jetë çdoherë derëhapur dhe e gatshme për bashkëpunime”, ka thënë Haliti.
Edhe përfaqësuesit e Caritas-it Zviceran në Kosovë, kanë thënë se komuna e Vitisë është komuna më bashkëpunuese, si dhe e kanë vlerësuar si të shkëlqyeshëm bashkëpunimin që kanë pasur vitin e kaluar. Ata, gjithashtu kanë bërë me dije se ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe këtë vit. /2LONLINE/