DYLON

Kryetari i Vitisë nënshkruan memorandumin për forcimin e mbrojtjes së grave dhe fëmijëve

Kryetari i Vitisë nënshkruan memorandumin për forcimin e mbrojtjes së grave dhe fëmijëve
Redaksia

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, nënshkroi sot në Gjilan Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Liria”, duke ritheksuar përkushtimin institucional për mbrojtjen e personave që përballen me dhunën në familje.

Ceremonia, e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, mblodhi kryetarë komunash nga rajonet e Gjilanit dhe Ferizajt, përfaqësues institucionalë dhe drejtues të qendrave që ofrojnë strehim e përkujdesje për gratë dhe fëmijët.

EkoHigjiena

Në fjalën e tij, Haliti e cilësoi memorandumin si zotim të përbashkët për mbrojtjen e jetës, dinjitetit dhe të drejtave të personave në nevojë.

“Solidariteti nuk mjafton vetëm me fjalë, ai kërkon organizim, strukturë, financim të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha, bashkëpunim të ngushtë ndërkomunal dhe ndërinstitucional”, theksoi Haliti.

Ai vlerësoi qendrat si strehë sigurie dhe shprese, duke kërkuar mbështetje të qëndrueshme dhe të koordinuar për shërbimet e tyre. Gjithashtu, falënderoi stafin për përkushtimin e përditshëm, si dhe OSBE-në e komunat pjesëmarrëse për bashkëpunimin.

“Le të vazhdojmë të punojmë së bashku, që ky memorandum të mos mbetet vetëm letër e bardhë, por të jetë një mburojë e vërtetë dhe një dritë shprese për secilin që ka nevojë”, u shpreh ai.

Në hapje të ceremonisë folën shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk, dhe udhëheqësja e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore, Artë Ademi-Bajrami.

Gjatë aktivitetit u trajtua rëndësia e memorandumeve për funksionimin e qendrave “Liria” në Gjilan dhe “Shtëpia ime” në Ferizaj, si dhe roli i komunave në mbështetjen e shërbimeve të tyre. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.