Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, ku ndër temat kryesore të diskutimit ishin fuqizimi i sektorit privat, ofrimi i lehtësirave për bizneset kosovare, si dhe rekomandimet për përmirësimin e mëtejmë të mjedisit për të bërë biznes.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se Oda Amerikane ka përgatitur një dokument i cili përmban rekomandimet për përmirësimin e mëtejmë të mjedisit për të bërë biznes dhe fuqizimit të sektorit privat, të cilat ia ka dorëzuar edhe qeverisë, por edhe Kuvendit. Ai tha se krahas përparimit të shënuar në lehtësinë e të bërit biznes, por edhe të politikave fiskale, duhet të bëhet shumë më tepër ashtu që Kosova të bëhet edhe më atraktive para investitorëve të huaj, prandaj dialogu nuk ka alternativë, duke theksuar se vihet re një zbehje në dialogun publiko-privat.
Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, tha se institucionet duhet të marrin parasysh edhe qëndrimet e sektorit privat duke pasur parasysh që aty ndodhet talenti më i madh profesional për sa i përket formësimit të politikave publike. Ai tha se nëse kemi zgjedhur një ekonomi të tregut, atëherë sektori privat duhet të luajë rol kyq si në politikat publike edhe në ligjet që i udhëheqin ato. Ai poashtu tha se duhet të ketë koordinim më të mirë me përfaqësuesit e sektorit privat edhe në aspektin legjislativ.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se zhvillimi i sektorit privat është kyq në zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik të Kosovës, duke thënë se partneriteti i këtij sektori me sektorin publik është primar në këtë aspekt. Z. Veseli shtoi se ndër iniciativat e Qeverisë për të forcuar zhvillimin ekonomik të Kosovës mbetet përgatitja dhe aftësimi i fuqisë punëtore duke përmendur si qështje parësore transformimin e sistemit edukativ gjë që do të ndikonte drejtëpërdrejtë në rritjen e ekonomisë në Kosovë. Z. Veseli poashtu përmendi qështjen e liberalizimit të vizave e cila do të jetë shtysë ndaj bizneseve kosovare dhe për shoqërinë, si dhe qështjen e rritjes së efikasitetit në gjykatat e Kosovës në mosvonimin e lëndëve gjyqësore.
Veseli poashtu përmendi programin e granteve të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë e cila do t’i ndihmojë bizneset e reja të kenë mundësi më shumë për t’u zhvilluar si në tregun Kosovar ashtu edhe botëror. Z. Veseli komentoi qështjen e rritjes së pagave duke thënë se nuk është idhëtar i kësaj iniciative dhe se mbështet fuqishëm partneritetin sa më të madh mes sektorit publik dhe privat. Në përfundim, Kryetari Veseli ftoi Odën Amerikane që të vazhdojë këtë partneritet i cili ka ndikuar mjaft në sektorin privat duke u shprehur se do të vazhdojë ta mbështesë zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit privat në Kosovë.