DYLON

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli zhvilloi takim me komisionarin Hahn

Avatar photo Redaksia

Sot, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli zhvilloi takim me komisionarin e BE-së për Politikat evropiane të fqinjësisë dhe Negociatave për zgjerim, Johannes Hahn.

Në takim u bisedua për shumë çështje që kanë të bëjnë më raportet aktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian. Hahn fillimisht përgëzoi institucionet e Kosovës për nënshkrimin e MSA-së, duke theksuar se “kjo marrëveshje gjeneron një potencial të madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës, zgjerimin e marrëdhënieve tregtare të Kosovës me vendet e BE-së dhe stimulim për zhvillimin e mëtutjeshëm të demokracisë në Kosovë”.

EkoHigjiena

Më tutje, Hahn theksoi se presim një raport pozitiv të progresit të Kosovës dhe së shpejti edhe rekomandim nga BE-ja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ky është rezultat i përpjekjeve të vetë institucioneve të Kosovës në përmbushjen e standardeve teknike e politike”, theksoi ai.

Nga ana e tij, kryetari Veseli, potencoi faktin se Kosova është shumë e përkushtuar që të ecë më shpejt në proceset e integrimit evropian, për të shtuar se “MSA-ja është një e arritur e rëndësishme, ngase tashmë ne e kemi të qartësuar rrugën e integrimit, por ajo që na duhet është ecja më e shpejtë në të dy drejtimet: ne duhet të ecim më shpejt në rrugën evropiane, dhe kjo varet nga puna jonë”.

“Ne i kemi të qarta obligimet tona, por edhe Bashkimi Evropian duhet të ecë më shpejt në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj”, theksoi kryekuvendari Veseli.

Në takim u bisedua edhe për krizën e refugjatëve me të cilën është duke u ballafaquar aktualisht BE-ja dhe bashkëbiseduesit u pajtuan se kjo krizë nuk ka pasur ndikim negativ në proceset nëpër të cilat është duke kaluar Kosova në raport me BE-në.

Lidhur me gjendjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës, pas veprimeve të partive opozitare, z. Hahn theksoi se agjenda evropiane e Kosovës ka nevojë për një jetë parlamentare normale, sepse kjo është rruga e vetme që të shtyhen përpara aspiratat evropiane të Kosovës.

“Deputetët janë zgjedhur të punojnë, të nxjerrin ligje, e jo të defunksionalizojnë parlamentin”, theksoi Hahn.

Kryetari Veseli nga ana e tij u shpreh se “vështirësitë aktuale janë sfiduese por institucionet e vendit, si dhe vetë partitë politike do të gjejnë shtegdalje, sepse të gjithë kemi të njëjtin vizion politik dhe të njëjtat qëllime lidhur me të ardhmen e Republikës së Kosovës”.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.