Kryetari i KBI-së në Gjilan Naim ef. Aliu uron Kurban Bajramin

Kryetari i KBI-së në Gjilan Naim ef. Aliu uron Kurban Bajramin

Falënderimet tona qofshin për Zotit e botëve , Atij i takon madhërimi e sundimi, salatet e selamet tona qofshin për më të mirin e njerëzisë, Mëshirën e pafundme dhe dritën e pasosur Muhamed Mustafanë , familjen e tij të pastër e fisnike dhe ithtarët e tij besnik.

Të dashur besimtarë
Të nderuar qytetarë,

Sot është dita e madhe e Arafatit, ne këtë vend dhe dite te bekuar u kompletua edhe shpallja e Kuranit fisnik qe zgjati njëzet e tri vite gjegjësisht ne vitin e 10 hixhrij.

Kjo ditë e bekuar e Arafatit që i paraprinë festës së madhe të Kurban Bajramit lidhet me qëndrimin e haxhive në rrafshnaltën e Arafatit, të gjithë të barabartë të veshur me Ihrama të bardhë të cilët me devotshmëri dhe me përulje me duar të ngritura lusin Zotin e Madhërishëm për mëshirë dhe paqë për mbarë besimtarët .

Qëndrimi në Arafat konsiston në kryerjen e haxhit si kusht i pestë i islamit prandaj edhe besimtarët këtë festë të madhe e presin me plotëgëzim e hare .

Festa e kurban bajramit simbolizon ne vete gatishmërinë e besimtarit për sakrificë me te vetmin qëllim të arrij kënaqësinë dhe dashurinë e Allahut fuqiplotë.

Fatkeqësisht kohëve të fundit për shkak të pandemisë globale nga virusi covid 19 e cila ka shkaktuar kriza të mëdha ekonomike e sociale gjithandej nëpër botë , padyshim se ka prekur edhe vendin tonë , ku tanimë kemi edhe shumë viktima dhe një numër të madh të infektuarve dhe ka penguar zhvillimin e jetës normale .

Mirëpo pikërisht ne këtë kohe te vështira besimi ynë i paluhatshëm në Zotin duhet të vijë në shprehje duke ngjallur shpresat në ndihmën dhe mëshirën e Allahut Fuqiplotë se vërtetë pas vështirësisë vjen lehtësimi.

Në këtë festë madhore të kurban bajramit, evokojmë kujtime edhe nga sakrifica e hazreti Ibrahimit i cili qe i gatshëm të sakrifikoi edhe të birin në shenjë dashurie e respekti ndaj urdhrit të Zoti Fuqiplotë si dhe durimin e të birit të tij hazreti Ismaili ta.s për flijim.

Uroj qe gjate këtyre ditëve festive të Kurban Bajramit të shprehim dashurinë tonë maksimale ndaj familjes , miqve e fqinjëve tanë duke shtrirë dorën e pajtimit, dorën e ndihmës dhe humanitetit për njeri tjetrin, ne veçanti ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë.

Pandemia globale s’ka dyshim se na ka imponuar rregulla te reja te manifestimit te kësaj feste madhështore, andaj ftoj te gjithë besimtaret qe ti përmbahemi te gjitha udhëzimeve dhe rekomandimeve te dala nga institucionet tona profesionale dhe ti shmangim vizitat tradicionale me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit covid 19 dhe sa me shpejtë ta kalojmë edhe këtë fazë kritike . Për këtë arsye ne edhe këtë bajram nuk mundë ta falim namazin e bajramit me xhemat të organizuar ashtu siq përcaktojnë dispozitat e sheriatit.

Vëllezër e motra

Në fund më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan t’iu uroj festën e Kurban Bajramit me urimet me të përzemërta duke e lutur Zotin fuqiplotë që drita e shpresës te ndriçojë jetët tona duke na shtuar ndjenjën e bamirësisë , solidaritetit mirëkuptimit e tolerancës ndërnjerëzore dhe duke ju dëshiruar shëndet mbarësi e paqe në familjet tuaja, kudo ku ndodheni.

Urime festa e kurban bajramit , dhe Zoti na bekoftë tëgjithëve.
Naim ef. Aliu
Gjilan 30.07.2020

KOMENTE