(2LONLINE) – Vlerësime nga Amir Jakupi, monitorues i KDI-së, për progresin e 100 ditëve të qeverisjes së Komunës së Kamenicës.
Premtimet e kryetarit të Kamenicës, Begzad Sinani.
Transparent me mediat dhe bashkëpunues me OJQ-të.
Në këtë 100 ditësh të qeverisjes, kryetari i Kamenicës nuk ka dhënë sinjale se bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe mediat është ndër prioritetet e tij. Tregues për këtë është, se kryetari Begzad Sinani, nuk ka realizuar asnjë takim me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe nuk ka mbajtur asnjë konferencë me mediat, përkundër zhvillimeve të shumta. Zyra Komunale e Informimit, e cila do të duhet të ishte plotësisht në funksion të transparencës dhe publikut, ajo e përcjellë vetëm agjendën e kryetarit të Komunës dhe transmeton ngjarje që lidhen me ceremoni apo ndonjë sukses eventual të qeverisë komunale.
Respektim i ligjit dhe udhëzimeve administrative në përpikëri
Kuvendi i Kamenicës gjatë në këtë legjislaturë ka shkelur dy herë ligjin, ku ka reaguar edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal duke ia shfuqizuar vendimet. Vendimi i parë ka të bëjë me miratimin e ndryshimeve në statutin e komunës, pa e diskutuar këtë çështje me qytetarët në Dëgjim Publik. Dhe shkelja e dytë është dhënia e dy pozicioneve drejtuese minoritetit serb në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisje lokale dhe statutin e Komunës. Në bazë të regjistrimit të fundit, pakica serbe nuk arrin as 5 % të popullsisë së përgjithshme të Kamenicës, andaj këto pozita nuk i takojnë serbëve.
Ndërtimi i shkollës fillore në Berivojcë
Nuk është lëvizur asnjë gur në drejtim të realizimit të këtij premtimi. Konsiderojmë se kjo është çështje imediate për nxënësit që ecin 6 deri 7 kilometra në këmbë për në shkollën fillore në qytetin e Kamenicës.
Përfundimi i palestrës sportive në vitin e parë të qeverisjes:
Po bëhen 10 vjet që kur ka nisur ndërtimi i palestrës së sporteve në Kamenicë. Janë shkelur të gjitha afatet për përfundimin e punimeve. Funksionalizimi i kësaj palestre, ka qenë në çdo palë zgjedhje premtim i të gjitha partive politike. Në këtë 100 ditësh të qeverisjes së re komunale, është punuar diçka, por data kur palestra do të jetë e gatshme, mbetet akoma larg. /2lonline/