Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati dhe drejtoresha e Administratës së Përgjithshme Brikenë Ramabaja, kanë pritur në takim përfaqësuesit e Institutit Demokratik të Kosovës.
Në këtë takim u diskutua për mundësitë e rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimarrje.
Kryetari Kastrati tha se është i interesuar që qytetarët të përfshihen në vendimarrje sepse transparenca është prioritet për të.
“Si qeverisje jemi të interesuar që vendimet për secilin fshat/lokalitet, t’i konsultojmë paraprakisht me qytetarët dhe për këtë kërkoj bashkëpunimin e juaj”, tha ai.
KDI-ja do të zbatojë projektin për përfshirjen e qytetarëve në vendimarrje në 11 komuna, përfshirë edhe Komunën e Kamenicës.
Ky projekt ka për qëllim identifikimin e çështjeve që i preokupojnë qytetarët në fshatra, lagje e qytet dhe t’i përfshijë ato në planet për vitet e ardhshme.
“Komuna e Kamenicës tashmë është duke e bërë një gjë të tillë sepse javë më parë kemi mbajtur tubime me gjithë lokalitetet e fshatrat veç e veç dhe i kemi dëgjuar qytetarët për projektet që i kanë prioritet në ato zona”, ka thënë kryetari Kastrati.