Kryetari i Kamenicës pret në takim përfaqësuesit e Agjencisë për Informim dhe Privatësi
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka pritur në takim Komisioneren e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dërmaku, Drejtoren e Përgjithshme të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Lumnije Demi, si dhe Egzon Sylaj.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për projektin “Open Data Government”, i cili mbikëqyret nga Council of Europe. Në kuadër të këtij projekti, pesë institucione do të përzgjidhen si institucione pilot, ndërsa pjesë e tij do të jetë edhe Komuna e Kamenicës.
Qëllimi i projektit është hapja e të dhënave dhe publikimi i dokumenteve të rëndësishme në përputhje me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me synim rritjen e transparencës institucionale ndaj qytetarëve.
Kryetari Kadri Rahimaj ka falënderuar Komisioneren Sogojeva Dërmaku për bashkëpunimin e deritanishëm me Komunën e Kamenicës, duke vlerësuar gjithashtu përfshirjen e komunës në këtë projekt si një ndër institucionet prijëse.
“Deri më tani kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë, duke marrë përgjigje dhe mbështetje për çdo çështje që ka të bëjë me dokumentet e qasshme dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe në këtë projekt, duke pasur parasysh synimin tonë që Komuna të jetë sa më e hapur dhe transparente ndaj qytetarëve. Po ashtu, fakti që ky projekt udhëhiqet nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, një ndër institucionet më kredibile në vend, e bën edhe më të rëndësishëm këtë bashkëpunim”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Ndërkaq, Komisionerja Krenare Sogojeva Dërmaku ka falënderuar Kryetarin Rahimaj për bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar se Komuna e Kamenicës është përzgjedhur për shkak të potencialit dhe përkushtimit të treguar deri më tani në rritjen e transparencës ndaj qytetarëve. /2LONLINE/
