Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Drejtoreshën për Buxhet dhe Financa, Ardita Dërmaku dhe Drejtoreshën e Administratës së Përgjithshme, Arlindë Sejdiu, kanë pritur në takim Zëvendës-Shefin e Aktivitetit të USAID Kontrata Sociale, Jetmir Bakija, Këshilltaren e Lartë për Qeverisje, Rozafa Ukimeraj, Vjendita Avdiu-Musliu, Zyrtare për Qeverisje.
Në këtë takim janë diskutuar tri tema të cilat kanë të bëjnë me projektin e Kontratës Sociale si Model Rregullorja për Buxhetim me Pjesëmarrje, Rregullore për Mirënjohje Publike, si dhe Ekipi për Pjesëmarrje Publike.
Kryetari Rahimaj ka mirëpritur këto tri propozime, duke thënë se si Komunë jemi të hapur që këtë proces ta dërgojmë në fazën që të vazhdojë çdoherë.
“Ne jemi të gatshëm që të ecim në hapat tutje, dhe pajtohemi që edhe ekipet të kenë një përfaqësim më të gjerë e poashtu të angazhohen çdo ditë që nga qytetarët t’i marrin idetë e tyre edhe në platforma tjera si online ose takime individuale e jo vetëm në dëgjime buxhetore. Lidhur me Rregulloren për Mirënjohjet Publike, ne tani e kemi një të tillë për titujt e nderit dhe pasi ta marrim modelin tuaj jemi të hapur ta plotësojmë dhe ndryshojmë dokumentin tonë. Ndërsa për Model Rregulloren për Buxhetim me Pjesëmarrje pres me padurim ta shoh se si jnë trajtuar disa çështje, si ajo e Kuvendit Komunal, meqenëse është votues i buxhetit. Jam ithtar i çdo forme që këto procese të mos mbesin vetëm politike por pavarësisht udhëheqësve të vazhdojnë edhe në të ardhmen për të mirën e qytetarëve, ashtu siç vendosen vetë qytetarët për projektet më të rëndësishme për lagjet e tyre”, është shprehur Kryetari Rahimaj.
Këshilltarja e Lartë për Qeverisje, Rozafa Ukimeraj theksoi se nga bashkëpunimi i mirë që USAID ka pasur deri më tani me Komunën e Kamenicës lidhur me projektin e Kontratës Sociale, ka bërë që çështjet të kalojnë edhe në një fazë më lartë.
“Në kuadër të projektit të buxhetimit, ne kemi hartuar Rregulloren për Mirënjohjet Publike e cila e shtyn edhe më lartë procesin dhe kemi propozuar që të formohet komisioni me akterë të fushave të ndryshme mirëpo të jenë të pavarur si profesorë, shoqëri civile, qytetarë, përfaqësues të Policisë të FSK-së, zyrtarë komunal të pensionuar që kanë dhënë kontributin e tyre, e poashtu duhet të jetë pjesë edhe zyrtari/ja për barazi gjinore. Poashtu kemi edhe Model Rregulloren për Buxhetim me Pjesëmarrje, kjo edhe një hap tjetër e cila procedurat e projektit të buxhetimit me pjesëmarrje do t’i bëjë edhe më të qëndrueshme. Ndërsa lidhur me Ekipet për pjesëmarrje me publikun kemi propozuar të jenë më afatgjata, të kenë akterë më shumë të përfshirë dhe të zgjerohen edhe më shumë duke u angazhuar gjatë tërë kohës, jo vetëm për një proces”, është shprehur ajo.
Edhe Zëvendës-Shefi i Aktivitetit të USAID Kontrata Sociale, Jetmir Bakija, theksoi se këto tri propozime do t’i japin legjitimitet më të lartë procesit të Kontratës Sociale.
“Për të plotësuar edhe më shumë projektin e kontratës sociale pra keni mundësinë që tek Model Rregullorja për Buxhetimin me Pjesëmarrje t’i përfshini praktikat më të mira që komuna juaj ka pasur në këtë proces dhe kështu këto praktika do të jenë më të vazhdueshme edhe në të ardhmen”, është shprehur ai.
Kurse Drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Arditë Dërmaku, përmendi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me USAID lidhur me projektin e Kontratës Sociale, duke uruar që ky bashkëpunim të zgjerohet ende.
Rikujtojmë që Komuna e Kamenicës ka qenë pjesë e procesit të Kontratës Sociale me dy projekte. /2LONLINE/