Kryetari Hyseni vizitoi atelien e artistit artizanal Abedin Selimit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me deputetet e Kuvendit të Kosovës Arijeta Rexhepin, Liza Gashin, Arbëreshë Kryeziu Hysenin dhe Labinotë Demi Murtezin, kanë vizituar atelien (muzeun) e artistit artizanal (autodidakt) Abedin Selimit.
I pari i Gjilanit, theksoi se Abedin Selimi, është emër i njohur jo vetëm për Gjilanin, por në të gjithë Kosovën, për artin unik që bën me dru.
Sipas tij Abedini, artisi artizanal i talentuar dhe njeri me vlera, ka vite që e kthen drurin në art dhe punën e ndershme në shembull frymëzues.
“Veprat e tij, që me siguri i keni parë në shumë restorante, hotele apo edhe shtëpi, janë identifikimi më i mirë i punës së jashtëzakonshme që ai bën”, tha Alban Hyseni.
Kryetari i Gjilanit, theksoi më tej se ndihet i kënaqur që e vizituan bashkë me ekipin dhe dëgjuan nga afër për historinë e tij të suksesit dhe për planet që ka në vijim.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë afër bizneseve të tilla, që janë vlerë për ekonominë tonë”, tha kryetari Hyseni.
Nga ana tjetër artisti Abedin Selimi, tha se: Kjo vizitë kishte për qëllim të njihen nga afër me artin dhe punën time unike, që e zhvilloj me pasion e përkushtim prej vitesh.
“Për mua, kjo ishte një ditë e veçantë dhe një vlerësim i madh për punën që bëj me shpirt.
Faleminderit kryetarit Hyseni për respektin, vëmendjen dhe fjalët inkurajuese që më dhanë. Ato janë një shtysë e fortë për të vazhduar krijimtarinë me edhe më shumë dashuri dhe energji”, tha artisti Abedin Selimi. /2LONLINE/
