Kryetari Hyseni shpreh ngushëllime familjes Isufi, pas ndarjes nga jeta të Bajram Isufit
Kryetar i Komunës së Gjilanit ka thënë se me pikëllim të madh mori lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të bashkëpunëtorit, profesionistit dhe njeriut të urtë, Bajram Isufi.
“Bajrami do të kujtohet gjithmonë për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, ndershmërinë dhe kontributin e çmuar që dha për vendin dhe qytetin e Gjilanit, duke filluar që nga rreshtimi i tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e deri te angazhimi i tij i palodhshëm si Drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë, ashtu edhe në krye të Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu”. Ai ishte shembull i atdhedashurisë, punës, korrektësisë dhe respektit për çdo qytetar e kolegë”, ka thënë Hyseni.
Ai shtoi se humbja e tij është një goditje jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet e Komunës dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin e të punojnë me të.
“Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Gjilanit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Isufi, miqve, kolegëve, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni. /2LONLINE/
