Në seancën urgjente të ftuar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, këshilltarët e kuvendit, miratuan vetëm një pjesë të bartjes së mjeteve, ndërsa pjesa e mbetur dhe buxheti për vitin 2025 janë shtyrë për një seancë tjetër.
Kryetari Alban Hyseni, tregon lidhur me vendimet e miratuara nga asamblistët.
I pari i Gjilanit, tha se në seancën urgjente të Kuvendit të Komunës, është votuar ndarazi një pjesë e bartjes së mjeteve në shumën 1.5 milionë euro, derisa pjesa tjetër e mbetur prej 941 mijë euro dhe buxheti për vitin 2025 janë shtyrë për një seancë tjetër.
Kryetari, tregon edhe për vendimet e marra: Dyfishuam mbështetjen për shoqatat që trajtojnë personat me aftësi të kufizuara – Handikos, Pema dhe Shoqata e të Verbërve, ku do të përfitojnë gjithsej 250 mijë euro.
“Subvencionuam lehonat dhe ndihmat për barëra për personat në nevojë me 110 mijë euro. Mbështetëm fermerët me subvencion për qumësht dhe farë gruri, si dhe bletarët me projekte konkrete”, tha Alban Hyseni.
Më tej ai tregoi, se kanë vendosur dollapë në shkolla dhe miratuan mbështetje për punëtorët, bursat për studentë dhe projekte jetike për qytetarët.
“Së shpejti do të thërrasim një tjetër seancë për të miratuar buxhetin për vitin 2025. I bëj thirrje sërish opozitës që të mos e bllokojë miratimin e buxhetit, të bëhemi unik për të mirën e të gjithë qytetarëve. Gjilani përparon kur bashkëpunojmë për të mirën e të gjithëve”, tha kryetari Hyseni. /2LONLINE/