Kryetari Hyseni ka pritur në takim pune zëvendëskryeministren Rexhepi dhe ministrin Latifi për t’i informuar për gjendjen me pandemi
Kryetari Hyseni ka pritur në takim pune zëvendëskryeministren Rexhepi dhe ministrin Latifi për t’i informuar për gjendjen me pandeminë COVID-19
Gjilan, 8 shkurt 2022 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, ka pritur në takim zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi dhe ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Pasi i falënderoi për vizitën, bashkëpunimin dhe konstruktivitetin, kryetari Hyseni i ka njoftuar për situatën me pandeminë, ofrimin e shërbimeve sikurse edhe gjendjen e komuniteteve jo shumicë.
“Si kryetar i Komunës i njoftova për veprimet që i kemi ndërmarrë, takimet që i kemi pasur me Qendrën Operative Emergjente, funksionalizimin, respektivisht përgatitjet finale për ri-funksionalizimin e Qendrës COVID. Po ashtu, diskutuam edhe për nevojat tjera të Komunës, qoftë në fushën e shëndetësisë, qoftë edhe projektet tjera që mund të vijnë në të ardhmen. I falënderoj shumë për vizitën dhe mbështetjen e ofruar”, ka thënë kryetari Hyseni.
Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi tha qëllimi i vizitës është për ta parë se si qëndron puna me Qendrën COVID, për shërbimet mjekësore për komunitetet e ndryshme, ndërkaq ka shprehur falënderim ndaj
kryetarit Alban Hyseni dhe të gjithë stafit për angazhimin maksimal për ta përballuar situatën me virusin COVID-19 në nivel profesional.
“Si Qeveri jemi këtu për t’ju ofruar përkrahje për t’i realizuar bashkërisht prioritetet e Komunës së Gjilanit”, ka thënë zëvendëskryeministrja Rexhepi.
rNdërkaq, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, pasi e falënderoi kryetarin Hyseni për pritjen, tha se është i lumtur që sot ka mësuar drejtpërdrejtë për situatën me pandeminë.
“Më së shumti u gëzova për rezultatet që Komuna e Gjilanit i ka arritur në menaxhimin e një të papriture të madhe që e ka kapluar krejt botën, pasi që Gjilani ka treguar rezultate të shkëlqyeshme edhe në shërbimet spitalore, edhe në shërbimet e kujdesit primar dhe të gjitha shërbimet që është dashur t’i jepen qytetarëve”, ka deklaruar pas takimit ministri Latifi. /2LONLINE/
