DYLON

Kryetari Hyseni: “Flaka e Janarit 2026” në nderim të atyre që u flijuan në altarin e lirisë

Kryetari Hyseni: “Flaka e Janarit 2026” në nderim të atyre që u flijuan në altarin e lirisë
Avatar photo Redaksia

Nderimi për të rënët për liri, me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, ka shënuar nismën simbolike të Manifestimin Kulturor Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2026”, i 35-ti me radhë, që organizohet nën përkujdesjen e Komunës së Gjilanit, përkatësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, bashkë me Familjarë të Dëshmorëve, Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, deputetë, përfaqësues të institucioneve publike, përfaqësues politik e të tjerë, pasi bënë homazhe, ka thënë se sot po e fillojnë manifestimin tradicional “Flaka e Janarit”, me shumë aktivitete përkujtimore dhe kulturore në nderim të dëshmorëve, për ta ruajtur traditën dhe mbajtur gjallë flakën e lirisë dhe të kujtesës.

EkoHigjiena

“Me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve nisëm edicionin e 35-të të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”. Bashkë me familje të dëshmorëve, veteranë të luftës, shoqata të OVL-UÇK-së dhe përfaqësues institucionesh, nderuam të rënët që u flijuan në altarin e lirisë. Vepra dhe sakrifica e tyre do të kujtohet gjithmonë ndër breza. Lavdi Dëshmorëve të Kombit”, ka thënë kryetari Hyseni.

Më pas, është bërë një vizitë në Kazermën e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), në Gjilan, ku drejtuesit e komunës dhe të tjerë janë pritur nga Komanda e Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së FSK-së, në krye me komandantin, nënkolonel Arben Avdyli, i cili u shpreh i nderuar që vizitohen në këtë ditë të shënuar dhe ka njoftuar për angazhimet ushtarake të këtij regjimenti.

Nga ana e tij, i pari i Gjilanit, Alban Hyseni tha se ndihet i lumtur për këtë vizitë në kazermë, veçanërisht sot kur po e fillojnë Manifestimin e “Flakës…”,  që organizohet në nderim të atyre që dhanë jetën për liri, e që është një lloj përkujtimi i përvitshëm, për ta bartë mesazhin brez pas brezi, për përpjekjet dhe sakrificat për liri.

Përndryshe, agjenda e “Flakës së Janarit 2026”, për ditën e sotme vazhdon tutje, ku në mbrëmje parashihet të kemi defile dhe të bëhet edhe Ndezja e Flakadanit të “Flakës së Janarit…”,  përcjellë nga Orkestra Frymore “Selman Vokshi”. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.