DYLON

Kryetari Hyseni bënë hapjen zyrtare të festivalit të dramës shqipe “Talia e Flakës 2022”

Kryetari Hyseni bënë hapjen zyrtare të festivalit të dramës shqipe “Talia e Flakës 2022”
Avatar photo Redaksia

Në sallën e teatrit të qytetit të Gjilanit, sonte është hapur festivali i dramës “Talia e Flakës”, i cili mbahet në kuadër të Manifestimit Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2022”, nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, i cili edhe bëri hapjen zyrtare. 

Në fjalën e tij kryetari Hyseni, si nikoqir i manifestimit “Flaka e Janarit 2022”, vuri në pah rëndësinë e festivalit të dramës për artistët, sikurse edhe mbarë manifestimin në tërësi. Ai u shpreh i nderuar dhe kënaqur që para komunitetit artistik dhe qytetarëve të Gjilanit e mbarë Kosovës shpall të hapur festivalin e dramës “Talia e flakës”, i cili do të zgjasë gjashtë ditë me radhë.

EkoHigjiena

“Ka qenë një sfidë e veçantë organizimi për shkak se “Flaka e Janarit” ka rëndësi të posaçme për komunitetin e artistëve si dhe një histori të madhe mbrapa tij dhe organizmit në tërësi ngase e lidhim janarin me heronjtë, i lidhim heronjtë me artin dhe kulturën, ndërkaq artistët që performojnë në kuadër të manifestimit i nderojnë veprat si dhe përfaqësimin artistik e kulturor të heronjve që kanë vdekur për lirinë e vendit tonë. 

Kryetari Hyseni po ashtu theksoi gatishmërinë e tij dhe bindjen e plotë në ruajtjen, kultivimin e avancimin e mëtejmë të trashëgimisë kulturore e shpirtërore kombëtare shqiptare duke e kultivuar dhe avancuar frymën e trashëgimisë përmes formave artistike.

“Unë besoj dhe jam i bindur që Gjilani do të ruaj këtë trashëgimi kulturore mbarëkombëtare që mbledhë gjithë shqiptarët kudo që janë, e në këtë formë ruan edhe frymën e organizimit të “Flakës së Janarit 2022”, ndërsa festivali i dramës “Talia e Flakës” është njëra prej shtyllave që zgjon më së shumti interesim dhe gëzon përkrahje të komunitetit”, tha kreu i komunës së Gjilanit. 

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku e ka vlerësuar të rëndësisë veçantë Manifestimin “Flaka e Janarit” si tërësi strukturore organizative në kalendarin e aktiviteteve të kulturës gjithmbarshme kosovare, e në këtë kontekst edhe festivalin e dramës “Talia e Flakës”, duke e cilësuar atë si njërën nga ngjarje nga më të rëndësishme për kulturën e gjithëmbarshme të Kosovës dhe asaj kombëtare. 

“Promovimi dhe ngjarjet që promovojnë dramën shqipe janë tejet të rëndësishme për ta shtyrë para krijimtarinë tonë artistike, teatrore, letrare, muzikore e të tjera. Uroj që ky festival të kalojë në mënyrën më të mirë të mundshme, t’i shikojmë shfaqjet gjithë së bashku dhe të shihemi në fund e t’i urojmë bashkërisht fituesve të çmimeve”, tha më tej Ministri Çeku, duke e përgëzuar ekipin organizativ për punën e bërë në organizimin e festivalit dhe manifestimit në tërësi.

Aktori Avni Shkodra nga organizata “Varg e Vi” dhe Erson Zymberi, udhëhjeqës artistik i manifestimit, njëherësh drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, të cilët së bashku me Zyrën e kryetarit të Komunës kanë përsipër mbarëvajtjen dhe organizimin e kësaj shtylle të manifestimit, prezantuan një pjesë të jetëgjatësisë kronologjike të festivalit ndër vite e dekada, ndërsa potencuan se mision i tij është para së gjithash nxitja dhe inkurajimi i krijimtarisë letrare, gjegjësisht dramës si gjeni specifike, në funksion të misionit për t’u inskenuar në dërrasat e teatrit, më shumë sesa për t’u lexuar si zhanër i posaçëm letrar.

Me këtë rast u theksua se festivali si i tillë është unik dhe se ky edicion u kushtohet dy figurave emblematike të këtij teatri, të cilët ndërruan jetë mes dy edicioneve të fundit, organizatorit Raif Haziri dhe aktorit Muharrem Sylejmani.

Në hapje të festivalit u prezantua shfaqja nga Teatrit i Qytetit të Gjilanit “Viganët”, me tekst të dramaturgut Visar Krusha, i punuar dhe vënë në skenë nga regjisori Ilir Bokshi.

Fabula e shfaqjes paraqet ‘ciklin e kreshnikëve, Muji dhe Halili, që përbën pjesën më madhështore të folklorit burimor shqiptar, e po ashtu vlerën shpirtërore të trashëgimisë sonë të pasur burimore. 

Në qendër të rrëfimit narrativ është figura e lartësuar e Mujit, nga legjenda, dhe kreshnikëve tjerë, si dhe besëtytnive fabulare mbi lidhjen e krijesave njerëzve me figurat mitologjike, që sillen përreth tij, duke shpërfaqur kështu një dimension të ri të këngëve kreshnike, fillet e të cilave si simbolikë teatrale i gjejmë thuajse identike edhe te tragjedia antike, ku përmes korit, heronjtë, jeta dhe bëmat e tyre reflektohen, ndërveprojnë dhe gjykohen duke përçuar njëkohësisht vlera universale e moderne të këtyre këngëve.

Në shfaqje kanë luajtur aktorët e trupës së Teatrit të Qytetit të Gjilanit, në koreografi nga Robert Nuha, muzikë të adaptuar nga Trimor Dhomi, skenografi nga Bekim Korça e kostume të realizuar me kujdes nga Vesa Kraja dhe asistente të regjisë, Natyra Kallaba.

Në edicionin e 31-të të festivalit të dramës “Talia e Flakës” gjatë ditëve në vijim do të prezantohen edhe pesë trupat tjera artistike pjesëmarrëse, gjithnjë duke respektuar masat mbrojtëse kundër pandemisë. 

Festivali i Dramës “Talia e Flakës 2022’ zgjatë gjashtë ditë me radhë, nga 23 deri më 28 janar, kur bëhet ndarja e çmimeve. 

Juria profesionale e manifestimit të sivjetmë përbëhet nga emra të shquar të artit skenik, Arian Krasniqi, dramaturg dhe Shkurte Aliu e Elmaze Nura, regjisore. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.