(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka uruar të gjithë mësimdhënësit e Komunës së Gjilanit me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit. Në mesazhin e urimit të kryetarit Haziri thuhet:
“7 Marsi shënon kujtimin për shkollën e parë shqipe, e cila u hap në vitin 1887 në Korçë. Dita e Mësuesit shënon një nga datat më të rëndësishme në historinë e gjatë e të vështirë të arsimit shqip.
Kjo ditë njëherit na kujton edhe mësuesin tonë në kohëra të vështira e sfiduese, mirëpo mësuesi ynë kaloi e sfidoi të gjitha ato kohëra të vështira për arritjen e misionit të shenjtë për ngritjen e brezave të ardhshëm.
Sot mësimdhënësit janë gjithashtu në krye të punës së tyre shumë të rëndësishme e fisnike, duke qenë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të shtetit tonë. Ndaj edhe u takon respekti dhe falënderimi ynë i përhershëm për ta”, thuhet në mesazhin e urimit të kryetarit Haziri. /2lonline/