Kryetari Haziri falënderon shoqatën “MAN” për trajnimin e organizuar në Gjilan
/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka pritur në një takim përfaqësuesit nga shoqatës “MAN”, e cila për tri ditë me radhë ka mbajtur trajnime me mësimdhënësit e Komunës së Gjilanit dhe Kamenicës, të fokusuar në arsim, rini dhe gjini.
Me këtë rast kryetari Haziri, ka falënderuar për trajnimin e organizuar duke garantuar bashkëpunim të vazhdueshëm edhe gjatë të ardhmes, sikur që ka bërë të ditur se në vitin 2016 shënohet 20-vjetori i këtij bashkëpunimi që ka Gjilani me këtë shoqatë.
“Shoqata “MAN” përmes programit të tyre në mbështetje të sistemit të arsimit, kanë organizuar për tri ditë me radhë trajnim ku kanë marrë pjesë një numër i madh i mësimdhënësve nga Gjilani dhe Kamenica. Janë partnerë të Komunës për 20 vjet. Gjilani ka partneritet me Luter Bah si qytet dhe departamentin e Strasburgut që është partner strategjik i Gjilanit e që mbështet sistemin e arsimit në përgjithësi, rininë dhe gjininë”, tha ndër të tjerash kryetari Haziri, i cili ka paralajmëruar që së shpejti do të formalizohet edhe një marrëveshje bashkëpunimi në këtë rrafsh me Gjimnazin e Gjilanit dhe Kamenicës.
Ndërsa, përfaqësuesit e shoqatës “MAN”, Jean Marc Muller dhe Jean Claud Moog, kanë bërë përshkrimin e këtyre ditëve të angazhimeve në Gjilan, me mësimdhënësit që, siç theksuan, ata ishin në nivel të lartë, duke bërë që trajnimi të jetë në funksion të bashkëbisedimit dhe zhvillimit të sistemit arsimor në shkollat prej nga vinin mësimdhënësit që trajnoheshin.
“Gjatë trajnimeve kishim interesim të dyanshëm, që është shumë mirë në organizime të tilla, sepse ka material dhe nivel për lëvizjen e gjërave përpara në arsim dhe angazhimin për edukim”, theksuan më tej dy profesorët.
Muller dhe Moog, njëzëri kanë konfirmuar se ky bashkëpunim me Komunën e Gjilanit edhe më tutje do të vazhdoj të zhvillohet dhe do të zgjerohet, drejt krijimit të lidhjeve më të forta për këtë qëllim./2L ONLINE/
