Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, është pritur sot në takim nga ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Ilaz Ramajli, në kohën e të cilët u bë edhe miratimi i deklaratës kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, konkretisht me 2 korrik 1990.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe ish nënkryetari i Kuvendit të atëhershëm z. Muharrem Shabani si dhe ish deputeti Nazmi Kelmendi.
Gjatë takimit në fjalë përfaqësuesit të Kuvendit të atëhershëm, kanë falënderuar kryetarin Haliti dhe komunën e Vitisë për shënimin e vazhdueshëm të kësaj dite historike me aktivitetin sportiv, konkretisht të turnirit tradicional të futbollit që shënohet në fshatin Beguncë të Vitisë.
Ata theksuan se përmes organizimit të kësaj ngjarje mbahet gjallë edhe kujtesa për këtë ditë historike të Kosovës.
Kurse kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti theksoj se është obligim i të gjithëve të mos harrojmë sakrificën dhe mundin e të gjithëve për mëvetësi të shtetit tonë dhe të drejtave për liri.
Përndryshe me 2 korrik 1990 deputetët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës votuan Deklaratën Kushtetuese përmes së cilës Kosovën e shpallën njësi të barabartë me njësitë e tjera të ish-Jugosllavisë. /2LONLINE/