Kryetari Haliti merr pjesë në takimin mbi Programin e Partneritetit Urban
/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka marrë sot pjesë në një punëtori gjysëmditore të organizuar nga “Banka Botërore” dhe “ Partneriteti Urban-Austria” lidhur me programin e Partneritetin Urban që ndër tjerash synon që ta forcojë kapacitetin e pushteteve lokale në Evropën Juglindore (EJL) dhe t’i pajisë zyrtarët e zgjedhur komunalë, administratorët e qyteteve dhe stafin teknik me mjete praktike për vendimmarrje, për ta menaxhuar zhvillimin urban në mënyrë efektive për një zhvillim përfshirës dhe të qëndrueshëm.
Në të njëjtën kohë, ky program ofron qasje pjesëmarrëse për angazhimin e qytetarëve dhe e nxit ndërtimin e integritetit. Përndryshe programi në fjalë sipas organizatorëve ndër tjerash si cak i ka shtetet në Evropën Juglindore (EJL), përfshirë Kosovën.
Faza e parë e programit (2011-2014) fokusohet në dimensionet kryesore të pushtetit lokal, përfshirë financat e komunave, planifikimin urban dhe menaxhimin e tokave, qeverisjen urbane/luftën kundër korrupsionit dhe llogaridhënien shoqërore.
Faza e dytë e programit është lansuar në shkurt të vitit 2015, ofron një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj përforcimit të kapacitetit të pushtetit lokal dhe synon t’i forcojë sinergjitë me programet e tjera aktive në rajonin e EJL-së./2L ONLINE/
