Kryetari Haliti mbajti takim për finalizimin e projektit të ujësjellësit në Fshatin e Ri
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka mbajtur një takim pune me kompaninë zbatuese, mbikëqyrjen e projektit, kryetarin e Fshatit të Ri dhe zyrtarët komunalë, ku u diskutua për ecurinë e punimeve dhe hapat përfundimtarë drejt realizimit të projektit të ujësjellësit.
Gjatë takimit janë marrë vendime konkrete për intensifikimin e punimeve dhe është kërkuar angazhim maksimal nga të gjitha palët, në mënyrë që projekti të përfundojë brenda afateve të përcaktuara. Po ashtu, është konfirmuar se, nëse punimet zhvillohen sipas planit dinamik, projekti do të finalizohet gjatë muajit shtator, kur edhe banorët e Fshatit të Ri pritet të përurojnë dhe të gëzojnë furnizimin me ujë të pijshëm.
Kryetari Haliti theksoi se realizimi i këtij projekti është një nga investimet më të rëndësishme për këtë lokalitet, duke nënvizuar se Komuna e Vitisë do të vazhdojë ta monitorojë nga afër zbatimin e punimeve deri në përfundimin e plotë të tyre.
Ai shtoi se ky projekt do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve, duke siguruar një furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ujë të pijshëm për Fshatin e Ri. /2LONLINE/
