Kryetari Haliti kërkon mbështetje për rregullimin e shtratit të lumit „ Morava e Binqës“
/2L ONLINE/ – Sot në Gjilan është mbajtur një tryezë e rrumbullaket për përcaktimin e modaliteteve të financimit të projektit „ Morava e Binqës“. Këtë tryezë e ka organizuar Agjensioni për Zhvillim sektori Lindje (RDA) ku morën pjesë komunat e lindjes si; Viti, Gjilan, Ferizaj, Kllokot, Partesh, Kamenicë.
Gjatë këtij takimi fjalën kryesore e mbajti kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti i cili edhe paraqiti një koncept rreth shtratit të lumit „ Morava e Binqës“ lum që rrjedh nëpër juglindje të Kosovës. Kryetari Haliti ndër tjerash tha se shtrati i këtij lumi duhet të rregullohet sa më parë me qëllim që ai të shndërrohet në përparësi hidro-ekonomike dhe potencoi se deri me tani për shkak të mos rregullimit të tij ky lum çdo vjet del nga shtrati dhe shkakton dëme.
„ Po thuajse çdo vjet lumi derdhet përtej brigjeve të tij dhe përmbyt zonat bujqësore, duke shkaktuar dëme milionësh . Përmbytjet gjithashtu dëmtojnë edhe shtëpitë rrugët, sidomos në lokalitete që janë më shumë në drejtim të rrjedhës. Shtrati i lumit nuk është pastruar me dekada dhe në të ka plotë më pemë të rritura dhe vegjetacion tjetër që pengon lëvizjen e ujit nëpër të, për më tepër, sedimentimi dhe hedhja e paligjshme e mbeturinave në të janë të përhapura, duke zvogëluar më tej profilin e lumit.“ U shpreh Kryetari Haliti.
Ai po ashtu tha se këto përmbytjet shkaktojnë edhe dëme të tjera si në pronën publike ashtu edhe private. Haliti tha se është e domosdoshme që të intervenohet sa më parë në rregullimin e shtratit të këtij lumi pasi që ajo nuk është në interes vetëm të komunës së Vitisë por edhe të komunave të tjera dhe bëri me dije se studimi i fizibilitetit për Menaxhimin e Rrezikut nga Përmbytjet lumit Morava e Binqës kanë përfunduar në shkurt të vitit 2014.
Ndërkaq edhe z. Christof Stock, Shef i Bashkëpunimit nga zyra e BE-së u pajtua se ky projekt është në interes ë komunave të këtij regjioni dhe tha se këto komuna duhet të bashkëpunojnë në mes veti dhe të kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që ta vendos si prioritet që të financohet nga fondet e IPA-së së BE-së, fonde këto që ndahen në bazë të prioriteteve të cilat i vendosë Republika e Kosovës.
Ai po ashtu tha se për rëndësinë e këtij projekti është shumë i vedijëshëm pasi që për të është njoftuar nga Kryetari Haliti. Kurse, Lutfi Haziri , kryetari i komunës së Gjilanit tha se edhe kjo komunë mbështë këtë nismë pasi që është në interes edhe të saj që një projekt i tillë të finalizohet sa më parë në mënyrë që të jetë edhe një resursë shtesë për zhvillimin ekonomik të zonës.
Ndërkaq në këtë tryezë përfaqësuesit e Departamentit të Ujërave të Republikës së Kosovës theksuan se projekti i lumit Morava e kanë vendosur në prioritetet e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor por normalisht duhet që kryetaret e komunave të insistojnë që ky projekt të jetë në mesin e projekteve që të financohet në bazë të prioriteteve nga bashkimit Evropian. /2L ONLINE
