/2L ONLINE/ – Ceremonia e ndërrimit të Presidentëve të Klubeve Rotariane në Kosovë, apo siç njihet ndryshe edhe “Ceremonia e ndërrimit të çekanit”, kësaj here u mbajt në Gjilan në ambientet e shkëlqyeshme të Resort Vali Ranch, nën bashkëorganizim të Këshillit të Klubeve Rotariane të Kosovës (KKRK) dhe Klubit Rotarian Gjilani.
Me këtë ceremoni edhe u shënuar përfundimi i vitit rotarian 2015/2016, ku ndër tjerash, kryetarët e Klubeve Rotariane në Kosovë nga Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Peja, Mitrovica, Vitia e Prizreni, morën zyrtarisht detyrën nga kryetarët e vitit rotarian që po e lëmë pas dhe se ata do t’i drejtojnë klubet e tyre për vitin rotarian 2016/2017. (Viti rotarian fillon me 01 Korrik dhe përfundon me 30 Qershor). Po ashtu, ndërrimet në udhëheqje u bënë edhe te të rinjtë rotaraktët dhe interaktët.
Ceremonia në fjalë filloi me dorëzimin e mirënjohjeve (“Presidential Citation”), që i jep Kryetari i Rotary International për klubet që kanë paraqitur strategjinë zhvillimore dhe gjatë periudhës që mbulon mirënjohja, kane arritur qëllimet që i kanë caktuar vetes me atë strategji. Janë pikërisht RC Gjilan dhe Rct Anamorava, që i morën këto mirënjohje, të cilat me autorizim të Guvernatorit Murat Çelik, e në emër te Kryetarit te Rotary Internacional, i dorëzoi Veton Qipa nga KKRK-ja.
Përndryshe, në emër të RC Gjilanit, të pranishmit i përshëndeti Zijadin Hasani, ndërsa për Rotary në përgjithësi, për punën tejet aktive që zhvillojnë klubet rotariane në Kosovë, foli Veton Qipa, kryetari në largim i KKRK-së, e për planet e vitit pasues të Rotary, foli Edmond Shyti, kryetar i KKRK-së, për vitin rotarian 2016/2017.
Përndryshe, përveç ceremonisë në fjalë, po ashtu u shpallen edhe rotarianët dhe rotaraktorët e vitit nëpër klube, si mirënjohje për shërbimin e çmuar, devotshmërinë dhe lartësimin e parimeve rotariane, ndërkohë që u dhanë edhe mirënjohje të tjera për angazhime të veçanta në Rotary. /2L ONLINE/