Kryetarët e Komunave të Anamoravës marrin konfirmimin e ministrit Mustafa për dyfishimin e subvencioneve në bujqësi

Kryetarët e Komunave të Anamoravës marrin konfirmimin e ministrit Mustafa për dyfishimin e subvencioneve në bujqësi

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbledhur në takim të përbashkët kryetarët dhe përfaqësuesit e të gjitha Komunave të Anamoravës, në Gjilan, të cilët kanë pritur ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafa, i cili shoqërohej nga zëvendësministri, Nehat Ramadani.

I pari i Gjilanit dhe kryetarët e komunave të regjionit të lindjes, e kanë falënderuar ministrin Mustafa për vizitën dhe përkrahjen e madhe të ofruar për sektorin e bujqësisë.

“Është një ditë e jashtëzakonshme me vetë faktin që ministri Mustafa dhe zëvendësministri Ramadani, janë këtu në prag të finalizimeve buxhetore për vitin e ardhshëm dhe orientimeve tona të politikave buxhetore. Bujqësia mbetet ambienti si mundësi për zhvillim lokal ekonomik për komunat tona dhe roli i kësaj Ministrie është përtej fuqisë që e ka Qeveria dhe sektori i bujqësisë e zhvillim rural”, ka thënë pas takimit, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Unë e luta sot ministrin Mustafa që ta kthejë politikën e bimës së duhanit, që ne në Gjilan kemi punuar së bashku me kolegët kryetarë Anamoravë për katër vjet, që ta bindim Kuvendin dhe Qeverinë që ta kenë në prioritet, si dhe zhdëmtimet e ruajtjen e pyjeve. Pra, problemet e përbashkëta në këtë pjesë të Kosovës, do t’i zgjidhim bashkë”, ka thënë Haziri.

Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, ka dhënë lajmin e mirë për bujqit e Anamoravës lidhur me dyfishimin e subvencioneve.

“Qëllimi i këtij takimi është i shumëfishtë. Përvec tjerash, jam këtu që t’i njoftojë përfaqësuesit e këtyre komunave me dyfishimin e subvencionet në bujqësi, ku pagesa do të bëhet në dy këste. Fillimisht do ta bëjmë pagesën e parë gjatë kësaj jave për të gjitha subvencionet, e më pas do ta bëjmë pagesën e dytë, deri në fund të vitit”, ka thënë Mustafa.

Ai konfirmoi, po ashtu, për përfundimin e master planit të ujitjes së tokave bujqësore, një program ky në vlerë prej 600 milionë euro, i cili do të realizohet në dhjetë vitet e ardhshme.

“Nga 20 mijë hektarë aktualisht, do ta rrisim në 90 mijë hektarë të ujitjes së tokave bujqësore. Regjioni i Anamoravës do të jetë njëri nga përfituesit më të mëdhenj të këtij sistemi të ujitjes, e që përkthehet me trefishim të rendimentit për bujqit e këtij regjioni”, ka shtuar ministri Mustafa.

Në këtë takim ka folur edhe kryetari i Vitisë, Sokol Haliti dhe ai i Kamenicës, Qëndron Kastrati, të cilët falënderuan kryetarin Haziri për organizimin e takimit dhe ministrin Mustafa për ofrimin e mbështetjes së madhe për sektorin e bujqësisë.

Pas këtij takimi, kryetari Haziri dhe ministri Mustafa kanë parë nga afër prodhimin e industrisë së mishit “Malësia”, sikurse edhe punën e blegtorit Kadri Bajrami në Stançiq dhe fermerit Agron Bllaca, i cili merret me turizmin rural në fshatin Shurdhan të Karadakut.

KOMENTE