(2LONLINE) – Ditë më parë, kreu i komunës së Vitisë Sokol Haliti, në emër të komunës ka nënshkruar një kontratë për kontrollimin e ujit, me Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik të Gjilanit, për çka kishte raportuar edhe portali 2lonline.
Kryetari Haliti, kishte theksuar me këtë rast se nënshkrimi i kësaj kontrate është i një rendësi shumë të veçantë për Komunën e Vitisë dhe qytetarët e saj, pasi që ajo ka të bëjë drejtpërdrejtë me shëndetin e tyre.
“Nënshkrimi i kontratës për analizat e ujit në aspekti bakteriologjik dhe kimik ka një rëndësi të veçantë pasi kështu jemi të informuar mbi cilësinë e ujit të cilët e konsumojnë qytetarët tanë. Me këtë ne do të informohemi se ku është i nevojshëm të merren hapat konkrete që të mbrojmë shëndetin e qytetarëve tanë” , ishte shprehur me këtë rast kryetari Haliti.
Por, ky veprim i kryetari të Vitisë i ka “çuditur” zyrtarët e Kompanisë Rajonale për Ujë “Hidromorava”, të cilët janë shprehur tejet të habitur pasi që për vet faktin se një kontratë e tillë e Hidromoravës me Qendrën në fjalë, për kontrolle (analiza) kimike dhe bakteriologjike veç ekziston edhe për kontrollin e ujit të pijes prej nga furnizohet komuna në fjalë.
Samet Idrizi, këshilltar komunal i Vitisë, por që njëherësh është edhe punëtor pran KRU”Hidromnorava“, ka thënë për Portalin 2lonline se është mirë të ketë një koordinim më të mirë për punët që ndërmerren në të mirë të qytetarëve sidomos për një çështjeje ku mund të ketë një koordinim në mes organizmave institucional, në mënyrë që të jemi sa më profesional dhe në nivel të përgjegjësisë për punët që na i kanë besuar qytetaret, në këtë rast, në një çështje shumë të ndejshme dhe shumë elementare, ujin e pijes.
Idrizi tha se është shumë humane që kryetari i Komunës Sokol Haliti të interesohet për qytetaret e tij, për mirëqenien e tyre, gjendjen sociale, e mbi te gjitha për shëndetin e tyre, sepse tekefundit ai edhe e ka marr bekimin dhe përgjegjësinë nga vota e qytetarit.
Por, sipas tij, është mirë kur kryetari nënshkruan marrëveshje për kontrollin e ujit të pijes në Viti e me gjerë (zonat rurale), të qartësohet saktësish se për cilat burime është fjala, që do t’i nënshtrohen kontrollit për ujë të pijes, në cilat zona më saktësisht, pasi që Kompania Rajonale KRU ’Hidromorava” e cila përfshin Vitinë dhe Kamenicën ka marrëveshje (kontratë) kompensimi me Institutin e Shëndetësisë Kombëtare Publike në Gjilan që të bëjë në vazhdimësi kontroll kimike dhe bakteriologjike te ujit të pijes, për burimet që i menaxhon Kompania “Hidromorava“, duke përfshirë edhe burimin kryesor për Vitinë. Burim i cili gjendet në fshatin Letnicë.
“Po ashtu ne si Kompani në mënyrë të vazhdueshme bëjmë kontrollin e kualitetit të ujit të pijes. konkretisht për burimet që i menaxhojmë, në Viti, burimin në Letnicë të cilit i bëhen kontrolli rutinë për kualitetin e ujit të pijes që nënkupton ujin e pijes i cili furnizon qytetin e Vitisë dhe disa fshatra”, ka thënë Samet Idrizi, asambelist i KK-së së Vitisë, njëherësh punëtor i KRU “Hidromorava”,
Përndryshe, kur është në pyetje kontrata që ka nënshkruar Komuna e Vitisë me Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik të Gjilanit, mësohet se bëhet fjalë për një kontratë dyvjeçare. /2lonline/