DYLON

Kryesuesi Kadriu i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë: Të shqetësuar me mospranimin e mjekëve në programet e specializimeve

Kryesuesi Kadriu i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë: Të shqetësuar me mospranimin e mjekëve në programet e specializimeve
Avatar photo Redaksia

“Në emër të Kuvendit Komunal të Gjilanit, ju drejtohemi me shqetësim serioz në lidhje me situatën e krijuar rreth mospranimit të mjekëve në programet e specializimeve në Spitalin Rajonal të Gjilanit, edhe pse ky institucion ka shfaqur gatishmëri dhe ka plotësuar kapacitetet për të pranuar dhe trajnuar kuadro të reja”, thotë Kushtrim Kadriu, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, në një adresim të tij për Ministrinë e Shëndetësisë, transmeton 2LONLINE.com.

Ja deklarata e plotë:

EkoHigjiena

KUVENDI KOMUNAL I GJILANIT
Drejtuar:
Ministrisë së Shëndetësisë
Republika e Kosovës

Lënda: Shqetësim lidhur me mospranimin e mjekëve në specializime në Spitalin Rajonal të Gjilanit

Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë,

Në emër të Kuvendit Komunal të Gjilanit, ju drejtohemi me shqetësim serioz në lidhje me situatën e krijuar rreth mospranimit të mjekëve në programet e specializimeve në Spitalin Rajonal të Gjilanit, edhe pse ky institucion ka shfaqur gatishmëri dhe ka plotësuar kapacitetet për të pranuar dhe trajnuar kuadro të reja.

Jemi njoftuar se përkundër nevojës urgjente për përforcimin e kapaciteteve specialistike në rajon, një numër i konsiderueshëm mjekësh të rinj nuk janë pranuar për të vijuar specializimet e tyre në këtë spital.

Ky vendim jo vetëm që pengon zhvillimin profesional të mjekëve të rinj, por njëkohësisht dëmton edhe shërbimin shëndetësor për qytetarët e Anamoravës, të cilët mbështeten në Spitalin Rajonal të Gjilanit si qendër e dytë e nivelit terciar për trajtim shëndetësor.

Spitali Rajonal i Gjilanit ka staf të kualifikuar, ambiente të përshtatshme dhe përvoja të mëparshme të suksesshme në mentorimin e specializantëve. Kjo situatë aktuale, përveç ndikimit negativ profesional, krijon edhe demotivim te të rinjtë që synojnë të mbesin dhe të kontribuojnë në sistemin publik shëndetësor.

Prandaj, kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë që:

1. Të rishqyrtojë me urgjencë vendimin e marrë për mospranimin e mjekëve në këtë institucion;

2. Të mundësojë që Spitali Rajonal i Gjilanit të jetë pjesë aktive e procesit të specializimeve për vitin në vijim;

3. Të ofrojë sqarime zyrtare për arsyet e kësaj mospërfshirjeje, në mënyrë që të shmanget përsëritja e këtij trajtimi në të ardhmen.

Kuvendi Komunal i Gjilanit mbetet i përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e sistemit shëndetësor lokal dhe për të bashkëpunuar me institucionet qendrore në funksion të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët tanë.

Me respekt,

Kushtrim Kadriu

Kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit