Kryeprokurori i Shtetit dhe drejtori i Doganës së Kosovës diskutojnë për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, priti në takim drejtorin e Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, i cili e uroi Kryeprokurorin Gashi për detyrën e re.
Në fokus të diskutimeve të përbashkëta ishte intensifikimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në parandalimin, zbulimin dhe ndjekjen e veprave penale që cenojnë interesat ekonomike dhe financiare të Republikës së Kosovës.
Të dyja palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe për ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta, në kuadër të kompetencave ligjore të institucioneve përkatëse, me synim rritjen e efikasitetit në luftën kundër kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit. /2LONLINE/
