Kryeminsitri Mustafa gjuhet me vezë – Reagimet e mëpastajshme
Kryeministri Isa Mustafa derisa ka folur në Kuvendit e Kosovës, duke raportuar për marrëveshjet në Bruksel, është ndërprerë disa herë nga deputetët e opozitës. Ndërsa kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka kërkuar nga ta të jenë të qetë dhe të mos e ndërprenë Mustafën, raporton Indeksonline.
Mirëpo për një moment Mustafën kanë filluar ta gjuajnë me vezë dhe ai e ka ndërper fjalimin ku edhe ka ndërhyrë sigurimi i tij duke e mbrojtur. Seanca është ndërprer për 10 minuta./Indeksonline/
VV: Opozita ndali gënjeshtrën e Isa Mustafës
“Isa Mustafa sërish po i trajton deputetët dhe qytetarët si të padijshëm”, thekson VV.
Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar një komunikatë për media ku thuhet se sot deputetët e opozitës ia ndalën gënjeshtrën Isa Mustafës, përmes së cilës ai synonte që edhe njëherë t’i gënjejë qytetarët dhe deputetët për marrëveshjet e Brukselit.
“Isa Mustafa sërish po i trajton deputetët dhe qytetarët si të padijshëm. Veprimet e tij janë tallje dhe shpërfillje e Kuvendit, ashtu siç marrëveshjet e Brukselit janë rrënim i Republikës”, thuhet në postimin e Vetëvendosjes në facebook.
Presidentja Jahjaga e dënon sulmin me vezë ndaj kryeministrit Mustafa
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e dënon sulmin ndaj kryeministrit Isa Mustafa gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.
Presidentja Jahjaga e quan këtë sulm të papranueshëm dhe në kundërshtim me frymën e demokracisë së mirëfilltë, me përpjekjet tona për të fuqizuar institucionet e Republikës ë Kosovës dhe vlerat që po i ndërtojmë.
Akte të tilla të shëmtuara, sipas saj e vështirësojnë diskutimin e mirëfilltë publik dhe zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit.
Presidentja Jahjaga ka ftuar të gjithë deputetët dhe subjektet politike që t’i respektojnë institucionet e vendit ku përfaqësohet vullneti i popullit, të denoncojnë dhunën dhe që mospajtimet politike t’i shprehin përmes rrugëve institucionale në respektim të plotë të parimeve të demokracisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon aktet e dhunshme, siç thotë ajo, nga deputetët e opozitës
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se të gjithë kanë për detyrim të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të shmangin veprimet që tejkalojnë format demokratike të opozitarizmit.
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon aktet e dhunshme të zhvilluara sot nga deputetët e opozitës në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po informonte deputetët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur më marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se të gjithë kanë për detyrim të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të shmangin veprimet që tejkalojnë format demokratike të opozitarizmit të cilat dëmtojnë interesat e Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës fton Kuvendin e Kosovës që të krijojë kushte normale të punës, në mënyrë që sot të vazhdoj pa pengesa seanca e Kuvendit të Kosovës dhe që qytetarët e Republikës së Kosovës të informohen në detaje për përmbajtjen e marrëveshjeve të arritura.
Qeveria e Republikës së Kosovës siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se marrëveshjet e arritura në Bruksel, janë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vlerëson se ato do t’i hapin rrugë integrimeve euroatlantike të vendit, dhe se janë mbështetur fuqishëm nga partnerët strategjik të Kosovës, SHBA-të dhe BE-ja.
Edhe Reuters raporton për gjuajtën me vezë të kryeministrit Mustafa nga opozita
Mbi ngjarjen e fundit në Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së sotshme ka shkruar edhe agjencia e lajmeve “Reuters.”
“Gjatë një fjalimi të kryeministrit të Kosovës që transmetohej drejtpërdrejtë nga transmetuesi publik, disa deputetë të Kuvendit të Kosovës pa pritur u ngritën në këmbë dhe filluan të hedhin vezë. Truprojat e Mustafës shpejtuan që ta mbrojnë atë, duke e mbuluar me një ombrellë.”
Reuters shkruan se deputetët e opozitës në Kuvend kanë hudhur vezë drejt kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa derisa ai i adresohej deputetëve, që protestojnë kundër marrëveshjeve me Serbinë që u jep më shumë të drejta minoritetit serb në shtetin e ri në Ballkan.
Reuters ka shkruar edhe për ndërhyrjen e krykuvendarit Kadri Veseli, i cili gjatë sulmit ka bërtitur “Turp, turp, turp.” /Indeksonline/
Beqiri: Opozitarët s’kanë alternativë e as argumente
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se gjuajtja me vezë e Kryeministrit Mustafa nuk i bënë nder Kosovës.
Beqiri poashtu tha se tendenca për të instaluar praktika të tilla është logjikë e mbrapshtë, ndërsa ka refuzuar të komentojë deklaratat e shefes së Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.
“Sot s’ka pasur lidhje të qenit në pozitë apo opozitë, por sjellja të cilën e kanë parë të gjithë qytetarët e Kosovës. Veprimi i sotëm tregon se opozitarët jo vetëm që nuk kanë alternativë, argumente, por s’kanë as nerva. Këto gjëra nuk i bëjnë nder as Kosovës, as institucioneve, por le të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Tentimi për të instaluar këto gjëra në Kuvendin e Kosovës është logjikë e mbrapshtë. Përkundër veprimeve të tilla shumë arrogante, ne mendojmë dhe do të duhej që seanca duhet të vazhdojë. Kryeministri i vendit e ka pasur dhe e ka vendosmërinë që të raportojë”.
Sipas tij, nuk mund të atakohen asnjë nga përfaqësuesit e qytetarëve.
“Këto veprime janë të rrezikshme dhe dëmshme për vendin. M’kurseni nga komentimi i atyre që ka thënë Donika Kadaj-Bujupi. Ajo po e harron që Marrëveshja është votuar më 27 qershor 2013 dhe kjo që ka ndodhë është derivat i saj. Nëse deputetja dhe kolegët e saj mendojnë se kështu mund ta dëmtojnë zhvillimin e vendit, kjo nuk do të ndodhë”, tha Beqiri.
http://www.rtklive.com/?id=2&r=42988
Kadaj – Bujupi: Ky është vetëm fillimi
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, ka thënë se ndalimi i raportimit të kryeministrit Isa Mustafa, në këtë formë është vetëm fillimi i veprimeve të opozitës për të ndaluar dëmet që po sjell ai.
Veprimin e sotëm e ka parë të domosdoshëm Kadaj – Bujupi, e cila thotë se Mustafa e ka kapur shtetin dhe bandat janë futur në Kuvend.
Ajo, tha se vetëm në këtë formë po e mbrojnë mandatin e deputetit.
“Veprimet në këtë seancë janë përgjigje dhe vetëm një nismë për një kryeministër qe e ka marrë kontrollin dhe mbron interesat e shteteve tjera. Në vend se të tërheq nënshkrimin ai veç njofton. Është mënyra më e vogël që mund të bëjmë që të ndalim këtë kryeministër që e ka humb kontrollin mbi veprimet e veta”, tha Donika Kadaj – Bujupi.
http://www.rtklive.com/?id=2&r=42999
Ja sqarimi i kryeparlamentarit Veseli për ngjarjet e fundit në Kuvend
Kadri Veseli përmes një sqarimi drejtuar publikut ka bërë me dije se nga ana e personelit të Kuvendit të Kosovës nuk ka pasur asnjë lloj ndërhyrje në asnjë moment.
Ai ka thënë se askush nuk ka të drejtë që t`i cenoj deputetët në kryerjen e funksionit të tyre përfaqësues.
Më poshtë mund ta lexoni sqarimin e Veselit për publikun:
Lidhur me zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, kur nga opozita u ndepre raportimi i Kryeministrit Isa Mustafa mbi marrëveshjet e 25 Gushtit të arritura Bruksel, ia bëjmë të qartë publikut se nga ana e personelit të sigurimit të Kuvendit të Kosovës nuk ka pasur asnjëlloj ndërhyrje në asnjë moment. Askush nuk ka të drejtë dhe nuk do të lejohet që të cënoj deputetët në kryerjen e fuksionit të tyre përfaqësues. /Indeksonline/
.…….
