Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mbërritur sot për një vizitë zyrtare në Japoni. Të hënën kryeninistri Thaçi do të takohet me homologun e tij, Kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe.
Gjatë qëndrimit në Tokyo, Kryeministri Thaçi do të takohet edhe me Lartmadhërinë e tij, Princin Trashëgimtar të Kurorës, Naruhito.
Kryeministri Thaçi do të mbajë një ligjëratë në Universitetin Sophia, ku do të flasë për rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, si dhe do të fokusohet në vizionin për të ardhmen e Kosovës. Kryeministri Thaçi nga Universiteti Sophia do të nderohet me titullin Honoris Causa.
Agjenda e takimeve të Kryeministri Thaçi në Japoni do të vazhdojë me takimin me anëtarët e Parlamentit të Japonisë, që janë themelues të Grupit parlamentar për Kosovën.
Të hënën, Kryeministri Thaçi do të marrë pjesë edhe në samitin e biznesit në Tokyo, ku do t’ju drejtohet me një fjalë rasti auditoriumit të përbërë nga përfaqësues të organizatave më të fuqishme biznesore të Japonisë, si Federata Japoneze e Biznesit, Organizata Japoneze e Tregtisë së Jashtme, Oda Japoneze e Ekonomisë dhe e Industrisë dhe Asociacioni Japonez i Menaxherëve Ekzekutivë të Korporatave./RTK/