DYLON

Kryeministri takoi kryetarët e komunave të regjionit të Gjilanit

Avatar photo Redaksia

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas vizitës që ka zhvilluar në Komunat e Novobërdës dhe Gjilanit, ka zhvilluar një drekë pune me kryetarët e komunave të regjionit të Gjilanit, përkatësisht me kryetarët e Gjilanit, Kamenicës, Vitisë, Ranillugut, Novobërdës dhe Parteshit.

Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa ka biseduar me kryetarët e këtyre komunave për problemet dhe kërkesat e tyre, si dhe për nevojat e përbashkëta për zhvillimin e këtij rajoni.

EkoHigjiena

Mustafa i njoftoi kryetarët për hapat që do të ndërmerren nga Qeveria e Kosovës për zhvillimin e ekonomik e social, investimet në infrastrukturë, në ambient, e në fusha të tjera.

Ai shprehu përkrahjen për këto Komuna, duke theksuar se në bashkëpunim dhe në përputhje me mundësitë do të bëhen përpjekje maksimale për të shtyrë përpara agjendën e zhvillimit në këtë zonë.

Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa i ka inkurajuar kryetarët që të koordinojnë projektet e tyre, pasi që projektet janë shumë me efiçiente kur bëhen në koordinim ndërmjet komunave fqinje dhe se shumë projekte mund të prekin disa komuna, siç janë shtretërit e lumenjve apo infrastruktura rrugore, etj.

Kryetarët e Komunave të rajonit të Gjilanit, shprehën pikëpamjet e tyre për prioritetet dhe çështjet kryesore të cilat duhet të adresojnë në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, duke falënderuar kryeministrin Isa Mustafa për përkrahjen e ofruar.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi dhe ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, të cilët bashkëbiseduan me kryetarët e komunave si dhe ofruan përkrahjen e tyre për avancimin e këtyre dy fushave shumë të rëndësishme.