Kryeministri në Viti premtoi investime në bujqësi, infrastrukturë rrugore dhe atë shkollore
/2L ONLINE/ – Gjatë vizitës që i bëri komunës së Vitisë, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka pohuar se është i vetëdijshëm për nevojat që ka Vitia nga problemet e punësimit, çështjet sociale, problemet e infrastrukturës shkollore e rrugore dhe problemi i vërshimeve me të cilin po përballen për vite me radhë banorët e disa fshatrave. Kreu i qeverisë ka filluar vizitën me një takim me kryetarin e komunës Sokol Halitin, për të vazhduar më pas me një takim tjetër me qeverinë komunale.
Në takimin me gazetar, kryeministri ka theksuar se tani jemi në një situatë kur duhet fuqizohet roli i komunave dhe ky fuqizim nuk duhet të bëhet vetëm përmes deklaratave por që të bëjmë ndryshime sistemore që qeverisjen lokale do të bënte më të fuqishme veçmas në fushën e zhvillimit ekonomik. Kryeministri Mustafa premtoj se do të trajtoj problemin e vërshimeve dhe të gjendet një zgjidhje e përhershme e kësaj problematike.
“Çështjet qe kane te bëjnë me vërshimet ne do ti trajtojmë bashkërisht dhe se bashku me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe te gjejmë zgjidhje jo vetëm ne komunën e Vitisë por te komunave tjera. Kjo zgjidhje duhet të jetë e përhershme që këta banorë njëherë e përgjithmonë të mos kenë frikën nga vërshimet dhe të përballen me dëme, ka thënë kryeministri Mustafa.
Ai ka premtuar edhe mbështetje në zhvillimin e bujqësisë në sigurimin subvencionimit për bujqit dhe për krijim të një ambienti më të sigurt për investime në këtë fushë.
“Vitia si një rajon me tokë pjellore, duhet të ketë një mbështetje më të madhe në aspektin e zhvillimit të kësaj fushe dhe ne përmes Ministrisë së Bujqësisë në mënyrë që të përkrahim projektet bujqësore, ngase prona të tëra janë rrezikuar nga vërshimet. Ndërkaq për shkollën në Pozheran është projekt që domosdoshmërisht duhet të realizohet se[pse nuk mund ti lëmë 1.000 nxënës të mësojnë në kushte pa volitshme.
Lidhur me problemin e dëmtimit të rrugëve rajonale, kryeministri Mustafa theksoi se së shpejti ky problem do të zgjidhet, pasi që për të dy rrugët Viti-Kllokot dhe Viti-Gërlic projekti është në fazën e tenderimit. Ndërsa kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, tha se në takim me kryeministrin ka paraqitur të arriturat dhe sfidat që po e përcjellin komunën e Vitisë, për çka ka marrë mbështetje nga i pari i qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e problemeve.
Vizita e kryeministrit Isa Mustafa në Viti ka pasuar me përurimin e repartit të Emergjencës në Qendrën e Mjekësisë familjare në Viti dhe me një vizitë në fabrikën për prodhime metalike Vinex.
Gjatë konferencës për shtyp, Kryeministri Mustafa ka folur edhe për protestat e paralajmëruara të opozitës për të shtunën, të cilat i ka vlerësuar si të panevojshme pasi që kërkesat nuk mund të gjejnë zgjidhje përmes pakënaqësive në rrugë, por janë institucionet dhe rrugët ligjore, duke tërheq vërejtjen që protestat të mos jenë të dhunshme. Ndërsa për grevën e punëtorëve arsimor, kryeministri Mustafa ka theksuar se nuk është e arsyeshme nga Sindikatat çoftë e arsimit, shëndetësisë apo të tjera, që të organizojnë greva.
“Nuk është problemi se mungon vullneti i qeverisë por problemi qëndron në mungesën e parasë për të rritur pagat. Gjatë vizitës që I bëri komunës së Vitisë, kryeministri Mustafa ka komentuar edhe deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama për bashkim kombëtar, për çka është shprehur se bashkimi mes Kosovës dhe Shqipërisë është Bashkimi Evropian./2L ONLINE/
