Kryeministri në detyrë Kurti në shënim të 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, bëri homazhe në Prekaz dhe në Prishtinë
Në shënim të 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, në kuadër të agjendës shtetërore, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, me zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri homazhe te varrezat në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Pas Prekazit, në Prishtinë kryeministri në detyrë Kurti bëri homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi, te Varrezat e Dëshmorëve, te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti si dhe te pllaka përkujtimore për ushtarët e rënë të NATO-s.
Prononcimi i kryeministrit në detyrë Kurti pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz:
Sikurse për çdo vit edhe sivjet më 12 Qershor, vijmë këtu si krerë të institucioneve në Prekaz, në këtë kryeqytet të kryengritjes bashkëkohore të popullit shqiptar, që shënon edhe vendin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, meqenëse më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, tre breza të Jasharëve qëndruan, luftuan dhe u sakrifikuan për lirinë e popullit tonë, për bashkim, për shtet dhe për pavarësi.
Beteja epike e Jasharëve, e bacës Shaban me dy djemtë e tij, Hamzën e Ademin, me gratë e tyre Zahiden e Zarifen, Feriden e Adilen, dhe me të gjithë të tjerët të cilët nuk u nënshtruan për asnjë moment, është sot në thelb të historisë së popullit tonë, dhe atë jo vetëm si Kosovë e si Republikë demokratike, por njëkohësisht edhe si komb shqiptar në kuptimin e shqiptarëve kudo që ata janë dhe në kuptimin e shtrirjes së përtej së tashmes. Pra, nga e kaluara e lashtë e deri në të ardhmen kur siç thotë edhe himni kombëtar shqiptar ‘ne do të rrojmë’.
Prandaj, duke u kthyer e rikthyer këtu, duke kujtuar e përkujtuar flijimin e Jasharëve ne më së miri i qëndrojmë besnik çlirimit dhe emancipimit, pavarësisë dhe bashkimit, zhvillimit dhe progresit.
Lavdi Jasharëve dhe gjithë dëshmorëve të kombit!
Gëzuar Dita e Çlirimit të Kosovës, 12 Qershori!
Prononcimi i kryeministrit në detyrë Kurti pas homazheve te shtatorja e Heroit Zahir Pajaziti:
Aksionet guerile para luftës, sikurse ato të komandantit Zahir Pajaziti dhe ngjarjet historike, si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kanë bërë udhën e çlirimit të pakthyeshme. Çdo 12 Qershor ne kujtojmë të gjithë brezat, të cilët u përpoqën, vuajtën, u sakrifikuan përgjatë okupimit të Kosovës nga Serbia për afër 87 vite, e që u përmbyllë me luftën e lavdishme çlirimtare dhe me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
Komandanti Zahir Pajaziti bashkë me Hakif Zejnullahun, Edmond Hoxhën dhe me shumë shokë të tjerë, e dinin që liria e popullit, çlirimi i vendit, bashkimi e shteti, demokracia e Republika, nuk mund të bëhen pa e konsideruar që faktori i brendshëm është vendimtar dhe nismëtar. Prandaj, ata qysh herët u organizuan në mënyrë që Kosova të çlirohet dhe të shporret armiku ynë, Serbia agresore e hegjemoniste.
Sot, Republika e Kosovës e ka ushtrinë e fortë, e ka policinë e aftë, e së shpejti do të ketë edhe xhandarmëri, në mënyrë që ta sigurojmë paqen, ta garantojmë stabilitetin institucional, t’i kontribuojmë sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë, të vazhdojmë me hapat tonë drejt integrimit në NATO e në Bashkim Evropian, dhe sundimi i ligjit e të drejtat për qytetarët të jenë kudo, përherë, për secilin.
Gëzuar 12 Qershori, Dita e Çlirimit të Kosovës dhe lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!
