Kryeministri në detyrë Kurti bëri homazhe te varri i intelektualit dhe veprimtarit Adem Demaçi
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, bënë homazhe dhe vendosen lule te varri i intelektualit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçi, në përvjetorin e tetë të ndarjes nga jeta.
Kryeministri Kurti theksoi se Demaçi ishte sinonim i qëndresës dhe rezistencës në kundërshtimin e pushtetit shtypës jugosllav e serb mbi shqiptarët.
“Adem Demaçi është shembulli i pathyeshmërisë dhe përjetësisë. Ai u rrit, mbajti 28 vjet burg, vazhdoi jetën duke mos u lëkundur asnjëherë nga rruga dhe idealet që kishte nisur. Baca Adem e kishte kuptuar dialektikën e jetës ngaqë nuk i frikësohej vdekjes. Ai jetonte mes lirisë dhe burgut. Vuajtjet i kthente në forcë, dhuna ia farkëtonte rezistencën teksa vepra i bëhej e pavdekshme. Ai e ‘kishte vrarë vdekjen’”, tha kryeministri.
Përkundër gjithsej 28 vjetëve në burgjet e regjimit shtypës jugosllav e serb, fillimisht 3 vjet, pastaj 10 vjet dhe herën e tretë 15 vjet, Adem Demaçi mbeti i pathyeshëm, i palëkundur, i palodhshëm dhe i pandalshëm në angazhimin e tij për interesat kombëtare dhe politike të shqiptarëve në ish Jugosllavi.
Për luftën e paepur për mendimin dhe fjalën e lirë, si dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, më 1991, Parlamenti Evropian e nderoi Adem Demaçin me çmimin “Sakharov”. Ai krahasohet me fituesin e parë të këtij çmimi aktivistin jugafrikan Nelson Mandela.
Krahas veprimtarisë dhe kontributit të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare që nga vitet e ‘50-ta të shekullit të kaluar, si dhe krijimtarisë së pasur letrare, Adem Demaçi ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /2LONLINE/
