DYLON

Kryeministri Mustafa: Vlerat multietnike pasuri e përbashkët evropiane e popullit të Kosovës

Avatar photo Redaksia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën ceremoniale për festimin e Ditës së Komunitetit Turk. Me këtë rast, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar përkrahjen dhe ofrimin e mundësive të reja zhvillimore për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe qasje të barabartë në ndarjen e të mirave, pa dallime.

“Qeveria që unë drejtoj do të vazhdoj që të mbështes komunitetin turk në Kosovë, nevojat kulturore të këtij komuniteti, ato arsimore, identitare dhe të tjera, me çka ne shprehim përkushtimin e Qeverisë për ta ndërtuar një Kosovë të barabartë, për të gjithë dhe pa dallim për askënd”, tha ndër të tjera kryeministri Mustafa.

EkoHigjiena

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa.

Shfrytëzoj rastin që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovë të uroj Ditën e Komunitetit Turk dhe po ashtu të uroj bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët.

Konstatoj se festën që sot po e kremtoni nuk është vetëm festë e komunitetit turk, por është festë e të gjithë neve në Kosovë. Duke shënuar këtë festë, ne respektojmë traditën dhe historinë e mirë të Kosovës dhe njëkohësisht e respektojmë edhe diversitetin kulturor, fetar dhe etnik të shtetit tonë.

Përkushtimi dhe zelli i komunitetit turk në Kosovë, që nga fillimi për të ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës, përpjekja e sinqertë dhe e vazhdueshme e këtij komuniteti bashkë me të gjithë të tjerët për t’i forcuar dhe demokratizuar këto institucione, na jep të drejtë të konstatojmë se vlerat multietnike mbi të cilat ndërtohet Kosova, janë pasuria jonë e përbashkët, pasuri e cila e bënë Kosovën më evropiane, më demokratike dhe më të fortë.

Historia e komunitetit turk në Kosovë, bashkëjetesa me shqiptarët dhe me të tjerët, ndarja e të mirës dhe të keqes dikur dhe sot me të gjithë në Kosovë, e bëjnë të tepërt të thuhet, e aq më pak të nënvizohet se komuniteti turk e konsideron Kosovën vend dhe atdheun e tyre. Me çdo gjë dhe pandalshëm turqit e Kosovës e kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë këtë përcaktim të tyre, sa shtetëror ashtu edhe identitar.

Qeveria që unë drejtoj do të vazhdoj që të mbështes komunitetin turk në Kosovë, nevojat kulturore të këtij komuniteti, ato arsimore, identitare dhe të tjera, me çka ne shprehim përkushtimin e Qeverisë për ta ndërtuar një Kosovë të barabartë, për të gjithë dhe pa dallim për askënd.

Vlera dhe rëndësia e komunitetit turk në Kosovë ka qenë dhe është e madhe në të gjitha fushat e jetës. Kjo vlerë shtohet dhe rritet edhe më shumë kur dihet se komuniteti turk ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të mbetet urë lidhëse e miqësisë tonë me shtetin turk dhe me shumë qytetarë tanë që jetojnë atje, që punojnë dhe studiojnë.

Duke iu uruar edhe njëherë Ditën e Komunitetit Turk në Kosovë, më lejoni të shpreh përcaktimin qeveritar se ne do të vazhdojmë të përkujdesemi për të ofruar mundësi të reja zhvillimore për të gjithë dhe qasje të barabartë në ndarjen e të mirave pa dallime mes nesh.

Të gjitha këto do të vazhdojmë t’i bëjmë bashkë me ju, me qëllim që t’i forcojmë dhe demokratizojmë edhe më tutje marrëdhëniet, t’i zhvillojmë institucionet e Republikës së Kosovës, t’i bëjmë më të avancuara, më të dobishme, në procese që ne bashkërisht do t’i shtyjmë drejt integrimit evropian dhe në proceset e zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës.