Kryeministri Mustafa vizitoi Vitinë dhe disa kompani të kësaj komune
/2L ONLINE/ – Kryeministri I Kosovës Isa Mustafa , i shoqëruar nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hikmete Bajrami, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, si dhe ai i mjedisit dhe planifikimit hapësinor Ferid Agani, kanë qëndruar sot në Viti, me ç`rast krahas takimit me kryetarin e komunës së Vitisë Sokol Halitin, ka vizituar edhe disa kompani që operojnë në këtë komunë, si dhe komunitetin kroat të fshatit Letnicë dhe muzeun e shkollës së parë shqipe në Stubëll.
Kryeministri Mustafa, pas takimit me kryetarin e Vitisë Sokol Halitin, gjatë takimit me drejtuesit e komunës kanë diskutuar mundësitë për realizimin e objektivave të përbashkëta që ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, si dhe në zhvillimin ekonomik të komunës.
“ Kryetari Haliti dhe bashkëpunëtorët e tij, kanë punuar shumë në realizimin e projekteve të ndryshme dhe në zhvillimin e komunës, për këtë e kanë mbështetjen e plot të qeverisë së Kosovës “, ka thënë kryeministri Mustafa.
Kurse kryetari i Vitisë Sokol Haliti, është shprehur se ndihet i nderuar që sot ka pritur kryeministrin Mustafa dhe disa nga ministrat e kabinetit qeveritar, me të cilët ka biseduar për projektet e realizuara dhe ato që po realizohen në Komunën e Vitisë, si dhe për trendët e zhvillimit ekonomik në komunë.
“Përmes buxhetit komunal, mbështetjes së Qeverisë së Kosovës, si dhe donatorëve të huaj, si qeveri komunale gjatë këtij mandati qeverisës kemi realizuar qindra projekte të mëdha e të vogla, me të cilat kemi përmirësuar jetën e qytetarëve të komunës së Vitisë”, ka thënë Haliti.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës vetëm gjatë këtyre dy viteve të fundit ka ndihmuar shumë në investimet kapitale në komunë, si dhe është e gatshme që të mbështesë edhe projekte tjera.
“Qeveria e Kosovës pos mbështetjes që është duke i dhënë komunave në projekte të ndryshme të infrastrukturës, po mbështet edhe bizneset duke u mundësuar atyre lehtësira në ushtrimin e veprimtarisë së tyre, gjë që po rezulton me gjenerim të vendeve të reja të punës”, ka thënë Haliti.
Ai ka theksuar se vizita e kryeministrit Mustafa që i bëri disa bizneseve në komunën e Vitisë, ka rëndësi për to pasi tani kur Kosova ka marrëveshjen e stabilizim asoocimit , është në interes të vetë bizneseve që të gjejnë mundësi për të depërtuar edhe në tregun e jashtëm.
Kryeministri Mustafa gjatë vizitës që i bëri fabrikës për prodhimin e stiroporit “Daka Term “ në Pozheran të Vitisë, ka thënë se kjo vizitë është në vazhdën e vizitave që po u bëhen fabrikave dhe kompanive të ndryshme, me qëllim që si qeveri të njoftohen më mirë me nevojat e bizneseve.
“Më gëzon fakti që masat që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës në mbështetje të zhvillimit ekonomik , po japin rezultate , prandaj jemi të interesuar që këto masa dhe ato të tjera që mund të ndërmerren në krijimin e lehtësirave për biznese, të rrisin prodhimtarinë e këtyre bizneseve në mënyrë që ato pos tregut të vendit të eksportojnë edhe jashtë”, është shprehur Mustafa.
Ndërsa Ibrahim Ostërgllava përfaqësues i kompanisë “Daka Term” ka theksuar se masat që ka marrë qeveria që bizneseve t`iu mundësoi pagesën e TVSH-së , pas shitjes së produkteve, ka ndikuar që këto biznese të shtojnë numrin e të punësuarave dhe të rrisin prodhimtarinë e tyre.
“Për momentin kemi të angazhuar 30 punëtorë, por në të ardhmen synojmë që këtë numër ta rrisëm edhe më shumë”, ka thënë Ostërgllava.
Ndërsa në përurimin e repartit të prodhimit të rrjetave për fasada në kompaninë “Euro –Fisi”, kryeministri Mustafa është shprehur i kënaqur me atë që ka parë dhe ka vlerësuar lartë gatishmërinë e drejtuesve të kësaj kompani që të shtojnë veprimtarinë e tyre edhe me këtë prodhim .
Ndërsa pronari Ismajl Shallti , ka thënë se kjo kompani që tani ka 3 reparte atë për rifabrikimin e gomave të automjeteve, fabrikën për prodhim të siroporit dhe fabrikën për rrjete të fasadës, ka të angazhuar 40 punëtorë dhe me këtë trend të zhvillimit numri i punëtorëve do të rritet edhe më shumë.
Ndërsa gjatë vizitës që i bëri fabrikës për prodhimin e materialeve të rrymës elektrike “Elektro Stublla”, kryeministri Mustafa ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të dëgjoi çdo brengë të bizneseve dhe të përkrahë këto biznese që të kenë më shumë prodhim.
Kurse Arian Ramaj, përfaqësues i kompanisë Elektro Stublla, pasi ka njoftuar kryeministrin Mustafa me të arriturat e kompanisë ku ka përmendur shërbimet dhe prodhimet që ofron ajo , nga instalimi i thjeshtë i energjisë elektrike deri tek prodhimi i materialeve të rrymës elektrike, ka thënë se Qeveria e Kosovës mund të ndihmoi me heqjen e TVSh-së për lëndë të parë si dhe të doganës për makina prodhuese.
Kryeministri Mustafa, pos komunës dhe kompanive private, një vizitë i ka bërë edhe fshatin Letnicë, ku ka takuar banorët shqiptarë e kroat, si dhe përfaqësuesit e kishës katolike.
Ai ka përgëzuar qytetarët e Letnicës për shembullin që po japin në tolerancën dhe bashkëjetesën e tyre, si dhe drejtuesit e kishës për kontributin që po japin në mbështetje të komuniteteve që jetojnë në Letnicë.
Ndërsa Dom Krista, famullitar në kishën e Letnicës, duke folur në emër të banorëve të këtij lokaliteti ka falënderuar kryeministrin për vizitë dhe e ka njoftuar atë me historikun e kishës katolike si dhe aktivitetet shoqëruese që organizon kisha në bashkëpunim me komunën në organizimin e manifestimit Ditët e zonjës së bekuar, manifestim ky që çdo vit grumbullon mbi 15 mijë vizitorë nga mbarë globi.
Ndërsa gjatë vizitës së shkollës parë shqipe “Dom Mikel Tarabolluzi” në Stubëll, kryeministri Mustafa është njoftuar nga famullitari i kishës katolike në këtë lokalitet Dom Albert Jakaj, lidhur me historikun e kësaj shkolle, duke potencuar se kjo shkollë që njihet shkolla e parë shqipe, ka dhënë kontribut të çmuar në arsimin e brezave të tërë.
E kryeministri Mustafa, ka thënë se ndihet i nderuar që viziton këtë shkollë –muze, pasi nga këtu janë frymëzuar shumë patriot në ngritjen e arsimimit shqip. /2L ONLINE/
